Dushi: Qeveria po ua merr komunave kompetencat kushtetuese

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për cenim të autonomisë lokale duke pretenduar se përmes ndryshimeve në procesin e rekrutimit të shërbyesve civilë po u merren komunave kompetencat e garantuara me Kushtetutë.

Sipas Dushit, kompetenca për rekrutimin e shërbyesve civilë, e cila u takon komunave, është përqendruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme përmes një rregulloreje.

Ai vlerësoi se kjo nuk përbën reformë në administratën publike, por një proces të centralizimit të pushtetit dhe të kufizimit të autonomisë së pushtetit lokal.

“Nuk po mjafton vetëm kapja e institucioneve të pavarura. Tani po ua marrin edhe komunave kompetencat që ua garanton Kushtetuta”, u shpreh Dushi.

Nënkryetari i Prishtinës shtoi se përqendrimi i kompetencave në nivel qendror nënkupton vendosjen e proceseve kyçe nën kontrollin e qeverisë duke e cilësuar këtë si cenim të vetëqeverisjes lokale. /Kosova.info/


Go to TOP