Situata e krijuar në seancën solemne për pavarësinë, Demhasaj kritikon Kurtin për fjalimin dhe opozitën për sjelljen

Të enjten Kosova ka shënuar 14 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Në këtë përvjetor festa e pavarësisë filloi në orët e mëngjesit me ngritjen e flamurit shtetëror, u mbajt seancë solemne e parakaluan Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës.

Seanca solemne e Kuvendit të Kosovës u mbajt në orën 11:00, ndërsa gjatë mbajtjes së seancës solemne, derisa kryeministri Albin Kurti ishte duke mbajtur fjalimin e tij, partitë opozitarë lëshuan sallën.

Pjesa e fjalimit të Kurtit për qeverisjen e vendit, nxiti reagimet e deputetëve opozitarë të cilët edhe u larguan nga salla.

Pas largimit, deputetët e LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, bënë të ditur arsyet se pse nuk qëndruan në sallë.

Lidhja Demokratike e Kosovës theksoi se fjalimi i kryeministrit Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, ishte përçarës, ofendues, i pavend dhe i padinjitetshëm.

Sipas LDK-së, një fjalim i tillë nuk mund të mbahet në datën e 17 shkurtit.

“Republika e Kosovës është vendi i vizionarëve politikë, i luftëtarëve, i dëshmorëve dhe i martirëve të lirisë, vendi dhe shteti ynë i përhershëm. Kush nuk e kupton, fyen sakrificën e popullit të Kosovës, siç bëri Kurti sot”, thuhej në reagimin e LDK-së.

Kurse, PDK pohoi se nuk kanë qëndruar në sallë për shkak se kryeministri nuk kishte përmendur kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për pavarësinë e vendit.

“Nuk ka ndodhë që asnjëherë të vetme që seanca solemne e Kuvendit në këtë ditë, të prishet nga vet fjalimi i kryeministrit të Kosovës. Ne si deputet të opozitës nuk mundemi të qëndrojmë në sallë të dëgjojmë fjalime të kota dhe denigurese për shoqërinë tonë”, kishte thënë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

E për situatën e krijuar në seancën solemne ka folur analisti politik, Arton Demhasaj.

Demahasaj në një prononcim ka thënë se kryeministri Kurti nuk do të duhej të bënte atë fjalim në përvjetorin e pavarësisë, ndërsa po ashtu kritikoi opozitën për largimin nga salla.

“Mendoj që ka qenë fillimisht gabim nga ana e kryeministrit, në një ditë seancë solemne ku kremtohet 14 vjetori i pavarësisë së Kosovës, thjesht me u marrë qoftë me një farë lloj sulmi të fjalës së lirë, e mediave e shoqërisë civile, mendoj që nuk ka qenë momenti, për me u marrë me këtë çështje, prandaj mendoj se ka qenë gabim në një seancë solemne me u marrë me tema të tilla.

Njëkohësisht konsideroj se ka qenë gabim largimi nga seanca solemne e partive opozitare, për shkak se nuk është dashtë. Ndoshta Kurti këtë provokim e ka bërë qëllimisht ndaj partive opozitare, dhe ato me lëshu sallën, mendoj që në një farë forme, partitë opozitare kanë rënë në grackën e Kurtit. Mendoj që nuk është dashtë me u largu, pa marrë parasysh se çfarë thotë kryeministri, për hatër të përvjetorit të pavarësisë”, ka thënë ai.

Sipas Demhasajt, kryeministri Kurti gjatë fjalimi është dashtë të fokusohet të kontributi i njerëzve që kanë dhënë për ditën e pavarësisë.

“Është dashtë më u fokusu te historia, te kontributi i njerëzve që kanë dhënë për këtë ditë, duke filluar nga Ibrahim Rugova, atyre të UÇK-së, kontributin e Sejdiut e Thaçit, është dashtë me u përmend, kritikat e opozitës janë me vend por reagimi i tyre nuk ka qenë i duhur. Me gjasë kryeministri Kurti e ka bërë këtë më qëllim, dhe fitimtar ka dalë ai pasi arriti që partitë opozitare të dalin nga salla”, tha mes tjerash ai.

Go to TOP