“Sikur të mos ekzistonim” – Fëmijët e pakicave etnike s’mësojnë për veten në shkollë

Gjatë kohës sa mbante shikimin drejt tavanit të klasës, një nxënëseje 13-vjeçare nuk i kujtohej të ketë mësuar ndonjëherë për komunitetin e saj, ashkali, në shkollë.

“Asgjë…”, thotë ajo ngadalë e me zë të ulët.

I vetmi aktivitet ku ajo ishte ndier se po i respektohej përkatësia e saj etnike, ishte një ngjarje e organizuar nga një qendër e mësimit shtesë në fshatin Gadime të Lipjanit.

Për Ditën e Flamurit të komunitetit ashkali, më 15 shkurt, dy mësueset e qendrës – Dinorë Jetullahu dhe Fatime Salihu – kishin organizuar një program, ku fëmijët çuan vizatime me flamurin e komunitetit ashkali, si dhe vallëzuan e kënduan.

Një vizatim i flamurit të komunitetit ashkali, i cili ishte vizatuar për ndër të Ditës së Flamurit të këtij komuniteti më 15 shkurt 2024.
Një vizatim i flamurit të komunitetit ashkali, i cili ishte vizatuar për ndër të Ditës së Flamurit të këtij komuniteti më 15 shkurt 2024.

“Më së shumti më ka pëlqyer kur e kam vallëzuar një valle tonën. Ka qenë më interesant, ka qenë edhe familja ime këtu për të më parë”, thotë një nga 65 nxënëset e kësaj qendre.

Njëra nga dy mësueset, Dinora, tregon se 47 nxënës në këtë klasë i përkasin komunitetit ashkali, ndërsa 18 të tjerët komunitetit shqiptar.

“Ata kalojnë shumë mirë bashkë, si të ishin vëllezër e motra. Përqafohen mes vete, rrinë bashkë. Janë shumë të socializuar”, thotë ajo për REL-in.

Dinorë Jetullahu, mësuese e qendrës së mësimit shtesë në Gadime, Lipjan.
Dinorë Jetullahu, mësuese e qendrës së mësimit shtesë në Gadime, Lipjan.

Në këtë qendër, nxënësit shkojnë për të marrë ndihmë në përvetësimin e shkrimit dhe leximit, nëse ngecin prapa nxënësve të tjerë në shkollimin e rregullt.

Por, mësuesja tjetër, Fatimja, thotë se aty marrin shumë më shumë sesa vetëm këto mësime. Me aktivitete që u ndihmojnë nxënësve të etnive të ndryshme të mësojnë për njëri-tjetrin, ata kanë nisur një luftë ndaj paragjykimeve.

“Nëse shqiptarët do ta dinin të vërtetën për këtë komunitet, gjendja do të përmirësohej shumë. Nëpërmjet edukimit dhe ndërgjegjësimit mund të krijohet një kulturë e respektit dhe bashkëpunimit mes komuniteteve”, thotë Fatimja.

Fatime Salihu, mësuese në qendrën e mësimit shtesë në Gadime, Lipjan.
Fatime Salihu, mësuese në qendrën e mësimit shtesë në Gadime, Lipjan.

Bajram Ilazi, zyrtar për arsim në organizatën Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve në Kosovë (VORAE), thotë se nxënësit e pakicave etnike në Kosovë nuk mësojnë për historinë, kulturën e traditat e tyre në shkollimin e detyrueshëm në vend, sepse ato s’janë të përfshira në tekstet shkollore.

“Nxënësit askund nuk kanë mundësi të mësojnë se kush janë këto komunitete. Në libër të edukatës qytetare, aty përmendet se në Kosovë jetojnë edhe romë, boshnjakë, serbë, etj. Por, nuk mësohet për këto komunitete”, thotë Ilazi për REL-in.

Ai shton se kjo i bën fëmijët që vijnë nga pakicat etnike në Kosovë, të ndihen të pabarabartë dhe inferiorë ndaj fëmijëve të komunitetit shqiptar. E, për më tepër, thotë Ilazi, mungesa e përfshirjes së pakicave në tekste shkollore ndikon edhe te vetë shqiptarët.

“Në mungesë të këtyre [mësimeve], njoftimi i nxënësve me komunitetet minoritare mund të ndodhë në rrugë, ku shohin fëmijë [të pakicave etnike] duke pastruar xhamat e veturave ose si lëmoshëkërkues. Dhe kështu bëhet përfaqësim i gabuar i komuniteteve dhe forcohen paragjykimet”, thotë ai.

Shkolla "Zenel Hajdini" në Gadime, Lipjan, ku mbajnë mësimin shtesë rreth 65 nxënës.
Shkolla “Zenel Hajdini” në Gadime, Lipjan, ku mbajnë mësimin shtesë rreth 65 nxënës.

Edhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit thonë se mësimet për kulturën dhe historinë e njëri-tjetrit ndihmojnë në luftimin e paragjykimeve.

Në vitin 2023, ky institucion publikoi një raport lidhur me përmbajtjen e 47 teksteve shkollore që përdoren në klasat 1-9 në shkollat në Kosovë.

“Avokati i Popullit ka konstatuar se shumica e teksteve shkollore (me dy përjashtime) nuk përmbajnë gjuhë diskriminuese mbi baza gjinore, racore dhe fetare. Mirëpo, ka konsideruar se nuk janë paraqitur mjaftueshëm në figura e tekste të gjitha grupet diverse të shoqërisë kosovare”, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit për REL-in.

Nxënës gjatë mësimit shtesë në Gadime, Lipjan.
Nxënës gjatë mësimit shtesë në Gadime, Lipjan.

Edhe ky institucion, edhe VORAE kanë kërkuar vazhdimisht nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës (MAShTI) që të ndërmarrë masa për përfshirjen më të madhe të pakicave etnike në tekste shkollore.

Ilazi thotë se ata kanë marrë premtime të shumta ndër vite se një gjë e tillë do të bëhet, por ende pa rezultat.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur MAShTI-n lidhur me këtë temë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Ilazi thotë se kurrikula e arsimit në vend jep hapësirë për përfshirjen e pakicave etnike, por thotë se një gjë e tillë nuk parashihet as me projektligjin për tekste shkollore, i cili është aktualisht në shqyrtim në institucionet e Kosovës.

“Edhe Strategjia për Arsim, edhe Strategjia për Përfshirjen e Komuniteteve Rom dhe Ashkali flasin që tekstet shkollore duhet t’i përfshijnë këto komunitete. Jemi në vitin 2024, 25 vjet pas luftës, dhe askund në tekste shkollore nuk flitet kjo gjë. Është për t’u çuditur, sikur të mos ekzistonim fare [pakicat etnike]”, thotë ai.

Një nxënëse duke bërë disa detyra gjatë mësimit shtesë.
Një nxënëse duke bërë disa detyra gjatë mësimit shtesë.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin akademik 2021/22 tregojnë se nga rreth 217 mijë nxënës në sistemin shkollor të detyrueshëm, rreth dhjetë mijë u përkasin pakicave etnike. Këtu nuk përfshihen ata që ndjekin mësimin në sistemin paralel serb.

Sipas regjistrimit të popullsisë të bërë më 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë llogaritet të jetë gati 1.8 milion. Prej tyre, rreth 25 mijë janë deklaruar si serbë, 19 mijë turq, 27 mijë boshnjakë, nëntë mijë romë, 15 mijë ashkali, 11 mijë egjiptianë dhe dhjetë mijë goranë.

Kushtetuta e Kosovës e përcakton vendin si shtet multietnik. Qysh në nenin e tretë përcaktohet se “Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike”. Megjithatë, librat e historisë në shkollat e ciklit të mesëm të ulët nuk e reflektojnë këtë shumetnicitet të vendit.

Vizatime brenda qendrës së mësimit shtesë në Gadime, Lipjan.
Vizatime brenda qendrës së mësimit shtesë në Gadime, Lipjan.

Librat e historisë gjatë shkollimit të detyrueshëm nëntëvjeçar në Kosovë kanë për subjekt vetëm shqiptarët dhe ndodhitë e mëdha historike ndërkombëtare.

Që nga mësimet për parahistori në klasë të gjashtë e deri te mësimet për sfidat globale aktuale, si pandemia COVID-19, në klasën e nëntë, komunitetet minoritare në Kosovë mbeten të përjashtuara nga tekstet e historisë.

“Fëmijët e pakicave nuk e dinë se kush janë, kur kanë ardhur, çfarë traditash kanë… Krijohet përshtypja sikur kanë ardhur këto vite në Kosovë e kur, në fakt, janë këtu me shekuj të tërë”, thotë Ilazi.

Mosnjohja e historisë dhe kulturës së njëri-tjetrit bën që të ketë më pak mirëkuptim dhe më shumë paragjykime mes pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme etnike, thotë Nexhat Ismajli, nga organizata kosovare Action for Nonviolensce and Peacebuilding (ANP).

“Kam dëgjuar se armiku definohet si personi që ne kurrë nuk e kemi takuar dhe nuk e kemi dëgjuar asnjëherë historinë e tij. Ne jetojmë në paqe, por sa është kjo paqe e qëndrueshme dhe sa është punuar nga sistemet edukative, përfshirë përmes teksteve shkollore, që të ulen paragjykimet? Mendoj që është bërë jashtëzakonisht pak”, thotë Ismajli. /Radio Evropa e Lirë/

Go to TOP