Arratiset Enver Sekiraqa

Policia e Kosovës ka konfirmuar se Enver Sekiraqa nuk është gjetur në shtëpi gjatë së premtes dhe të shtunës, pas vendimit të Gjykatës së Apelit për kthim në paraburgim.

Apeli të premten, pas ankesës së Prokurorisë Speciale, kishte vendosur ta kthente Sekiraqën në paraburgim, pasi Themelorja më 3 maj  ia kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak duke e lënë të mbrohej në liri.

Policia ka thënë për RTKlive se dje dhe sot e ka kërkuar Sekiraqën në shtëpi, por nuk e kanë gjetur. Janë njoftuar edhe vendkalimet kufitare e drejtoritë rajonale policore.

“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë. Meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njëjti nuk është hasur në shtëpi.  Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kanë kërkuar të njëjtin, por nuk e kanë hasur në shtëpi.  Veprimet e mëtejme policore, do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë. Njëkohësisht Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj të pandehurit”, ka konfirmuar Policia.

Go to TOP