E paqartë rruga e Kosovës drejt Këshillit të Evropës

Mospranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është sinjal që Qeveria e vendit duhet t`i peshojë seriozisht hapat që bënë tutje, sidomos në raport me kërkesën e ndërkombëtarëve për ta bërë Asociacionin. Kështu mendojnë njohësit e rrethanave politike në vend.

Sipas tyre, Kosova gjendet në një ngërç edhe për shkak të qëndrimeve të ndara brenda shteteve të Quintit.

Ekzekutivi duhet ta peshojë seriozisht përmbushjen e kushtit që e la jashtë anëtarësimit Kosovën në Këshillin e Evropës. Kështu mendojnë njohës të çështjeve politike.

Valon Myrtezaj, profesor, tha për RTK se është çështje me të cilën Kosova duhet të merret në mënyrë serioze.

“Caktimi i një takimi tjetër të komitetit të ministrave të Këshillit të Evropës nuk është gjë e thjeshtë, nuk është e pamundur, por në situatën aktuale duhet një ri aranzhim i plot gjërave që lidhen me plotësimin e një kriteri shtesë, përkundër që Kosova në bazë meritore, sot për sot i ka plotësuar të gjitha kriteret për tu bërë anëtare e Këshillit të Evropës”, tha ai.

Kushtrim Istrefi, profesor i të drejtës ndërkombëtare, tha se ajo çka presim është një rishikim të marrëdhënieve Kosovë-Quint, meqë njëra nga palët duhet të gjëje zgjidhje nga ky ngërç.

“Nuk pres që diçka të ndodhë pa pas një ndryshim qëndrimi qoftë nga Kosova, qoftë nga Quinti”, tha ai për RTKlive.

Por, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, nuk pret që kryeministri Kurti të lëvizë në drejtim të asociacionit.

“Një kryeministër që nuk guxon ta dërgojë vendimin e vet në Gjykatë Kushtetuese. Nuk mund ta dërgojë, nuk guxon”, “S’po guxon një vendim të qeverisë ta dërgojë në gjykatë, të ia besojë burrave dhe grave që janë niveli më i lartë i drejtësisë që lidhet me Kushtetutën”, tha ai.

E këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu, në një reagim ka shkruar se Kosova po përballet me bllokim nga vetë aleatët e saj.

“Çfarë po bën Kosova në këtë mes, sa të njihet me penalizime e bllokime të vazhdueshme nga vetë aleatët e saj, ndërkohë që Serbia mëton e lirë në orbitën e politikave të saj destruktive pa u ndëshkuar ndonjëherë? Në këtë përballje, në vazhdimësi shohim se të ruash kushtetutshmërinë, integritetin territorial e sovranitetin, e të marrësh vendime sovrane, na qenka gabim për Kosovën, por jo për Serbinë”, ka shkruar ai.

Mbetja jashtë agjende e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës ka nxitur reagime të shumta, ku vlerësohet se kushtëzimi i pranimit të vendit në këtë organizatë me asociacionin është i pakuptimtë.

Go to TOP