Shkarkohet komandanti i Njësisë Speciale Antiterroriste të MUP-it serb

Ish-komandanti i Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ) të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, Spasoje Vuleviq, është shkarkuar nga posti i tij. Vendimi erdhi pas miratimit të një sistematizimi të ri të vendeve të punës, të enjten, ndërsa Vuleviq u informua të premten për largimin e tij, raporton N1.

Sipas tij, shkarkimi është bërë me arsyetimin se “nuk është nën kontrollin e Aleksandar Vuçiq”.

“Më thanë se presidenti nuk dëshiron të ketë një formacion të armatosur që nuk është nën kontrollin e tij absolut, prandaj nuk mund të jem më komandant,” deklaroi Vuleviq.

Ai shtoi se ishte informuar për këtë vendim nga ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, dhe drejtori i policisë, Dragan Vasileviq. Sipas tij, Daçiq i kishte ofruar pozitën e këshilltarit, por ai e refuzoi duke theksuar se dëshiron të pensionohet para kohe.

Spasoje Vuleviq, i lindur më 1971 në Pejë, ka qenë pjesë e Njësisë Speciale Antiterroriste që nga viti 1993. /Kosova.info/


Go to TOP