Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit: Bjeshkatarja gjermane vdiq nga hipotermia
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka dalë me detaje të reja rreth rastit të vdekjes së bjeshkatares me shtetësi gjermane te “Liqeni i Jazhincës” në Malet e Sharrit. Ata kanë thënë se bjeshkatarja dyshohet të ketë pësuar me fatalitet nga kushtet atmosferike, duke kaluar në hipotermi. Ky operacion i evakuimit thonë se ka zgjatur 9 orë të plota.
“Sipas mekanizmit të aksidentit dyshohet se viktima shtetase gjermane M.N gjatë ecjes malore e vetmuar në këtë zonë, aksidentalisht këmba i kishte ngecur në qarje në mes të shkëmbinjve dhe në pamundësi të daljes nga kjo situatë dhe thirrjes për ndihmë pasi që zona nuk ka mbulueshmëri me rrjet telefonik ,dyshohet të ketë pësuar me fatalitet nga kushtet atmosferike duke kaluar në hipotermi”, thuhet në njoftimin që ka shpërndarë ky shërbim.
Ata kanë treguar se një ditë më parë kishin pranuar thirrje nga një grup i bjeshkatarëve për këtë rast, të cilët kishin hasur afër shtegut kryesor në një trup që dyshohet të ishte pa shenja jete.
Thonë se pas koordinimit me Policinë e Kosovës një skuadër e ShKShMK ishte nisur në drejtim të lokacionit.
“Ekipet e ShKShMK dhe të hetuesisë pasi që janë takuar dhe koordinuar te fillimi i shtegut për te Liqeni i Jazhincës nën udhëheqjen e ShKShMK ka filluar operacioni i kërkim-shpëtimit. Pas një marshimi në errësirë dhe kushte dimërore është arritur lokalizimi i viktimës në koordinatat e marra paraprakisht nga grupi i bjeshkatarëve”, kanë treguar tutje nga ShKShMK-ja.
Tutje kanë bërë të ditur se në këtë operacion ka asistuar edhe një ekip nga kompania e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
FSK-ja kishte njoftuar më herët për përfundimin e këtij misioni, që e quajtën sfidues.
