Reforma në trafikun urban në kryeqytet, Zogaj tregon se çka parasheh

Me reformën e nisur në Trafikun Urban, po synohet që të unifikohet bileta e udhëtimit, blerja e autobusëve të rinj dhe shtimi i linjave të reja për lagjet të cilat nuk mbulohen aktualisht.

Megjithatë, opozita në kryeqytet po e vlerëson si të vonshme nisjen e kësaj reforme, duke nisur nga fakti që kryetari Përparim Rama, ka premtuar se një gjë të tillë do ta bëjë qysh në fillim të mandatit.

Kjo reformë po nisë pas më shumë së dy vjet e gjysmë nga ardhja në pushtet e LDK-së në kryeqytet.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë për Ekonomia Online se një reformë e thellë në trafikun urban është shumë e nevojshme për kryeqytetin.

“Ne po fillojmë me një reformë të transportit publik, që nënkupton të kemi një biletë të unifikuar për të gjithë qytetarët e Prishtinës, sepse deri tash biletat kanë qenë të ndara, një biletë ka qenë për transport publik ose trafikun urban, një biletë tjetër ka qenë për transportin e organizuar nga sektori privat. Gjithashtu, ne jemi duke i blerë edhe 30 autobusë të rinj, 6 janë elektrikë, kurse 24 diezel. Kjo nënkupton se po i shtohet edhe një flotë e re sistemit të trafikut urban në përgjithësi, por kemi bë ftesa për sektorin privat gjithashtu që të investojnë dhe të marrin licenca tek ne për linja të caktuara të cilat ne nuk mund t’i mbulojmë me autobusë të trafikut urban”, ka thënë Zogaj.

Numri dy i kryeqytetit ka shtuar se do të ndërrohet edhe forma e pagesës, derisa zgjidhje do të bëhet edhe për të moshuarit.

“Pagesa do jetë krejtësisht digjitale, do të kenë të gjitha format e pagesës, do të kemi mundësinë e pagesës me SMS, me aplikacion mobil, por gjithashtu edhe të moshuarit nëse kanë nevojë për bileta fizike kanë me i gjet biletat fizike në krejt dyqanet e mundshme, në krejt minimarketet”, theksoi zëvendësi i Përparim Ramës.

Edhe në ndërmarrjen “Trafiku Urban” e kanë mirëpritur reformën e nisur nga Komuna e Prishtinës.

Zëdhënësja e Trafikut Urban, Teuta Krasniqi, ka thënë se kjo reformë vjen si nevojë e përmirësimit të shërbimeve të transportit publik.

“Sigurimi i transportit publik paraqet një nevojë elementarë të qytetarëve, prandaj si ndërmarrje gjegjëse jem angazhuar intensivisht për të krijuar kushte optimale të transportit për të gjithë udhëtarët ky angazhim ka rezultuar vite më parë me sigurimin e një kontigjenti autobusësh të cilët e kanë përmirësuar ndjeshëm transportin publik në kryeqytet për rrjedhojë është shtuar një nevojë e zgjerimit të shërbimeve të tilla dhe rregullimin e tërësishëm të këtij problemi i cili na përcjellë tash e 25 vite…Nevojat janë të mëdha të të gjithë qytetarëve të Prishtinës, lagjeve të reja që po krijohen në Prishtinë, nevoja është imediate dhe shpresojmë që ne do të zgjidhim njëherë e përgjithmonë këtë problem”, ka thënë Krasniqi.

Mirëpo, rreth kësaj reforme ndryshe po mendojnë partitë opozitare.

Shefi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, e ka quajtur të vonuar reformën e nisur nga kryetari Rama, sepse të njëjtën e kishte premtuar se do ta bënte me të marrë mandatin e të parit të kryeqytetit.

“Nuk e di për çfarë reforme po flasim më të vërtetë, për shkak se këto reforma të cilat i premtoi zoti Rama para disa ditëve janë të njëjtat gjëra të cilat i ka premtuar qysh kur e ka marrë mandatin para dy vite e gjysmë. Ajo se çka kemi parë këto dy vite e gjysmë është se ka ndodh një shtrenjtim i biletës njëkahëshe për 25 për qind, ndërkohë që gjatë fushatës zgjedhore ka pas premtime për transport publik falas”, tha Sveçla.

Sipas Sveçlës, një tjetër premtim i parealizuar nga komuna, e që është nevojë shumë e madhe për qytetarët, është edhe çështja e pritoreve.

“Një gjë të vetme të cilën nuk kanë arritur ta përfundojnë në mesin e atyre shumë të cilat i kanë premtuar dhe nuk i kanë realizuar është edhe çështja e pritoreve. Këta nuk kanë arritur t’i përfundojnë as pritoret, e lërë më të flasin për reforma ose diçka të tillë konkrete. Siç e dini ka pas premtime që do shtohet flota e autobusëve në vitin 2022, në përfundim të vitit 2022, pastaj thanë se do ndodh në vitin 2023, përfundoj edhe viti 2023 jemi në vitin 2024 tani na thanë në vitin 2025 që do të shtohet flota e autobusëve, ka ndryshime të itinerarit të autobusëve, qytetarët hasin në vështirësi për shkak se nuk e kanë të qartë cilat linja nëpër të cilat rrugë kalojnë. Kjo ka ardhur si pasojë e mbylljes së disa rrugëve në kryeqytet, në përgjithësi mund të themi se gjendja në trafikun urban sot është më e keqe se që ka qenë para se zoti Rama dhe ky pushtet të fillojë qeverisjen me Prishtinën. Prandaj të gjitha ato që i ka thënë zoti Rama, unë vazhdojë t’i marrë si pjesë e fushatës së tyre zgjedhore”, ka thënë Sveçla.

Sveçla thotë se kryetari Rama dhe ky pushtet nuk kanë arritur ta përfundojnë asnjë premtim për këta 30 muaj.

Të vetmen meritë që Sveçla i ka dhënë udhëheqjes komunale, është bileta gjithditore, e cila sipas tij, ka rezultuar si e suksesshme.

Go to TOP