Rama: Mbyllen vendpunishtet pa siguri dhe ndërtimet pa leje në Kryeqytet
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Inspeksioni i Kryeqytetit ka intensifikuar kontrollet në terren duke ndërmarrë masa të rrepta ndaj shkeljeve në sektorin e ndërtimit.
Sipas tij, janë mbyllur vendpunishtet që nuk përmbushin kushtet e nevojshme të sigurisë, si dhe ato që operojnë pa lejet përkatëse ndërtimore.
Rama bëri të ditur se hapja e gropave ndërtimore pa leje përbën shkelje ligjore dhe sanksionohet me vendime administrative, ndërsa rastet përcillen edhe me kallëzim penal pranë organeve kompetente.
Ai theksoi se mos sigurimi adekuat i gropave në vendpunishte konsiderohet shkelje e rëndë dhe trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në fund, Rama u bëri thirrje qytetarëve dhe subjekteve ndërtimore që të respektojnë ligjin dhe të kontribuojnë në garantimin e sigurisë publike në Prishtina. /Kosova.info/
