SHBA-ja dhe Serbia me marrëveshje për energji dhe arsim, forcojnë bashkëpunimin në mbrojtje

Shtetet e Bashkuara dhe Serbia nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi për infrastrukturën energjetike dhe sigurinë energjetike rajonale në kuadër të Dialogut Strategjik të mbajtur në Uashington më 17 korrik. Takimin ndërmjet zyrtarëve amerikanë dhe serbë e udhëhoqi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Dialogu Strategjik, të cilin SHBA-ja e zhvillon me dhjetëra shtete në mbarë botën për të thelluar bashkëpunimin, përfshin një sërë fushash – nga ekonomia, përmes sigurisë, deri te politika e jashtme.

Siç thuhet në njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit, Shtetet e Bashkuara mirëpritën vendimin paraprak të Serbisë për të vazhduar realizimin e projektit hidroenergjetik Gjerdap 3, si projekti i parë i identifikuar në kuadër të Marrëveshjes Ndërqeveritare për Energjinë.

Ky projekt paraqet një investim të rëndësishëm në infrastrukturën energjetike rajonale dhe një hap drejt një Serbie më të pavarur në aspektin energjetik.

Dy vendet mirëpritën gjithashtu njoftimin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM Bank) për një garanci kreditore në vlerë prej 50 milionë dollarësh për Grupin Telekom Srbija, e cila synon vendosjen e rrjetit 5G në Serbi duke përdorur furnizues të besueshëm. Kjo, sipas njoftimit, do të përmirësojë sigurinë dhe besueshmërinë e sistemeve të komunikimit në Serbi.

Bashkëpunimi në siguri dhe mbrojtje

SHBA-ja dhe Serbia konfirmuan, siç thuhet në njoftimin e DASH-it përkushtimin e përbashkët për ruajtjen e paqes dhe sigurisë rajonale, si dhe u zotuan për intensifikimin e bashkëpunimit ushtarak.

Serbia ka kërkuar blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane, gjë që, siç u tha, do të kontribuojë në rritjen e ndërveprueshmërisë së forcave të armatosura dhe do të forcojë më shumë marrëdhëniet e zhvilluara përmes stërvitjeve ushtarake dypalëshe dhe shumëpalëshe, si dhe misioneve të përbashkëta paqeruajtëse.

Përveç kësaj, DASH-i njoftoi se ka ndarë 1.5 milion dollarë për vazhdimin e bashkëpunimit në çminimin civil, me qëllim heqjen e minave dhe mjeteve të pashpërthyera.

Dy vendet përmendën po ashtu bashkëpunimin e ngushtë 20-vjeçar ndërmjet Gardës Kombëtare të Ohajos dhe Ushtrisë së Serbisë, në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror.

Shkenca dhe teknologjia

SHBA-ja mirëpriti vendimin e Serbisë për t’iu bashkuar Marrëveshjes Artemis.

Kjo marrëveshje ka të bëjë për një grup parimesh që promovojnë eksplorimin dhe përdorimin transparent, të sigurt dhe të përgjegjshëm të hapësirës civile, duke mundësuar zgjerimin e bashkëpunimit paqësor në eksplorimin e hapësirës së thellë përmes shkëmbimit të njohurive dhe të dhënave shkencore.

Nisma të tjera dypalëshe

Në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit për financimin e përbashkët të programit në fushën e arsimit, Serbia është zotuar të ndajë 300 mijë dollarë në vit për zgjerimin e tij.

Programi, siç thuhet, do të mundësojë shkëmbime dhe mundësi shtesë për studentët dhe shkencëtarët më të dalluar të të dy vendeve për ligjërim dhe punë kërkimore.

Shtetet e Bashkuara konfirmuan gjithashtu angazhimin e tyre, të formalizuar gjatë vizitës së nënsekretares për Diplomaci Publike, Sarah Rogers, në maj të vitit 2026, për pjesëmarrjen në Expo 2027 në Beograd, ekspozita e parë e specializuar botërore që do të mbahet në Ballkanin Perëndimor.

SHBA-ja mirëpriti po ashtu gatishmërinë e Serbisë për të shqyrtuar anëtarësimin në iniciativën “Praktikat më të mira të Parimeve të Uashingtonit për veprat e artit të konfiskuara gjatë regjimit nazist”.

Serbia njoftoi gjithashtu synimin për të thelluar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara përmes hapjes së konsullatave të reja në Miami dhe San Francisko.

Çfarë tha Gjuriq para takimit?

Para takimit të parë të Dialogut Strategjik që u mbajt në Uashington, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, tha se memorandumi për bashkëpunim në fushën e energjisë “do të hapë perspektiva të reja të rëndësishme për sigurinë energjetike të vendit tonë, pasi parashikon ndërtimin e ndërlidhësve të rinj të gazit”.

Ndërkaq, për memorandumin në fushën e arsimit, Gjuriq tha se ka të bëjë me “zgjerimin e programit Fulbright, i cili do të krijojë mundësi të reja për studentët tanë, të rinjtë dhe komunitetin shkencor, si dhe do t’u mundësojë të dy vendeve që së bashku të mbështesin komunitetin akademik dhe zhvillimin e tij”.

Siç tha për Radion Evropa e Lirë një ditë më parë Departamenti amerikan i Shtetit, Dialogu Strategjik “paraqet një epokë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve”.

“Nëpërmjet këtij dialogu, SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në fushën e biznesit dhe arsimit, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë”, thuhet në përgjigjen e DASH-it dërguar REL-it.

Në përgjigje po ashtu u tha se sekretari Rubio, kishte njoftuar më 6 gusht të vitit të kaluar se SHBA-ja do ta zhvillonte këtë dialog me Serbinë.

Dialogu strategjik, të cilin SHBA-ja e zhvillon me dhjetëra shtete në mbarë botën për të thelluar bashkëpunimin, përfshin një sërë fushash – nga ekonomia dhe siguria deri te politika e jashtme.

Çfarë i parapriu vendimit të SHBA-së?

Për mundësinë e nisjes së dialogut strategjik me Serbinë u fol në gusht të vitit 2025, por ai nuk u mbajt në atë kohë.

Atëherë u tha se dialogu do të duhej të sillte “një epokë të re” në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve – duke rigjallëruar lidhjet politike, zgjeruar bashkëpunimin në fushën e biznesit dhe mbrojtjes, si dhe bashkëpunimin në sektorin e energjisë dhe teknologjive të komunikimit.

Serbia në shtator të vitit 2024 ka nënshkruar me SHBA-në marrëveshjen e saj të parë strategjike në fushën e energjisë.

Më pas, në janar të këtij viti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se SHBA-ja i kishte paraqitur Serbisë dy “kërkesa formale” për të nisur Dialogun Strategjik – njëra me karakter politik dhe tjetra e lidhur me sektorin e energjisë. Megjithatë, ai nuk dha hollësi lidhur me këto kërkesa.

Uashingtoni e sheh si një nga interesat e tij kryesor në Ballkanin Perëndimor frenimin e ndikimit të Kinës dhe Rusisë.

Ulja e varësisë energjetike të Ballkanit Perëndimor nga Rusia është përfshirë ndër objektivat e Ligjit amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i miratuar në mesin e muajit dhjetor.

Në të njëjtin ligj, si objektiv përmendet edhe zvogëlimi i ndikimit kinez në rajon.

Po ashtu, SHBA-ja e konsideron si objektiv edhe përparimin e menjëhershëm në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Siç thuhet në ligj, SHBA-ja duhet të mbështesë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e cila do të bazohet në njohjen reciproke.

Po ashtu, SHBA-ja e sheh si objektiv edhe përparimin e menjëhershëm në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Siç thuhet, SHBA-ja duhet të mbështesë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e bazuar në njohje të ndërsjellë.

Një tjetër çështje që ka shënuar marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë gjatë vitit të fundit janë sanksionet ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), për shkak se në kompani shumica e aksioneve janë në duart e rusëve.

Administrata amerikane vendosi sanksione ndaj NIS-it në fillim të vitit 2025, me qëllim që të pengojë Rusinë t’i përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.

Prej më shumë se një viti, zbatimi i sanksioneve është shtyrë vazhdimisht, ndërsa që kur kompania hungareze MOL shfaqi interesim për blerje, licenca e Zyrës amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) është rinovuar në mënyrë periodike.

Herën e fundit, OFAC-i e zgjati licencën edhe për 30 ditë më 30 qershor.

Go to TOP