KPK uron Zejnulla Gashin për detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Saj, Albulena Haxhiu, ka dekretuar sot Zejnulla Gashi në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, duke përmbyllur procedurën kushtetuese dhe ligjore të emërimit të tij në krye të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.

Dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit vjen pas propozimit të bërë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili, në mbështetje të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, e kishte nominuar z. Zejnulla Gashi për këtë funksion pas përfundimit të procedurës së vlerësimit dhe votimit.

Kryeprokurori i sapodekretuar do të udhëheqë institucionin e Prokurorit të Shtetit për një mandat shtatë (7) vjeçar, duke marrë përgjegjësinë për forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e efikasitetit dhe profesionalizmit të sistemit prokurorial, si dhe garantimin e ushtrimit të pavarur, të paanshëm dhe të përgjegjshëm të funksionit prokurorial, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës i uron z. Zejnulla Gashi suksese në ushtrimin e mandatit të tij si Kryeprokuror i Shtetit, duke shprehur besimin se, përmes bashkëpunimit institucional dhe angazhimit profesional, do të vazhdojë fuqizimi i integritetit, transparencës dhe besimit të qytetarëve në sistemin prokurorial”, thuhet në komunikatë. /Kosova.info/


Go to TOP