Rama i ashpër ndaj Muratit: Boll me lojëra politike, zhblloko buxhetin e Kryeqytetit!
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj Ministrit të Financave, Hekuran Murati duke e akuzuar për bllokimin e buxhetit të Kryeqytetit dhe për shfajësime politike.
“Hekuran, mos rri tu e gjujt përgjegjësinë! Çka po ndodh me buxhetin e Prishtinës është rezultat i vendimeve të tua politike, i askujt tjetër!,” ka shkruar Rama duke theksuar se çdo reagim i ministrit në rrjete sociale është “vetëm përpjekje për të manipuluar narrativën publike”.
Rama ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës i ka dërguar edhe një shkresë zyrtare Ministrisë së Financave duke kërkuar ekzekutimin e buxhetit të përfshirë në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2025.
Sipas tij, bëhet fjalë për 33 milionë euro të bllokuara, prej të cilave 23 milionë janë të hyra vetanake dhe 10 milionë grant qeveritar, që sipas kryetarit “mbesin pezull për shkak të vendimmarrjes së ministrit Murati”.
“Ta kesh të qartë: asnjë status, asnjë justifikim dhe asnjë tentativë për t’u fshehur pas retorikës politike nuk do të të shpëtojë nga përgjegjësia publike për këtë situatë. Kryeqyteti nuk do të mbahet peng i kalkulimeve politike të askujt e as tënde!”, ka përfunduar Rama. /Kosova.info/
