Bajrami: Përmes faturave të energjisë po ndodh hajnia më e madhe që ka përjetuar Kosova
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj tarifave të energjisë elektrike duke e cilësuar si “hajninë më të madhe që ky vend ka përjetuar ndonjëherë”.
Ajo tha se çdo qytetar i Kosovës po vidhet 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, përmes faturave të energjisë elektrike, ndërsa akuzoi qeverinë për lejimin e kësaj situate.
“Ju kam thënë edhe më herët që përmes faturave të energjisë elektrike po ndodhë hajnina më e madhe që ky vend ka përjetu ndonjëherë – po vjedhet 24h në ditë, 7 ditë në javë secili qytetar i vendit,” shkroi Bajrami.
Duke iu referuar një artikulli të gazetarit Agon Sinanaj, ajo përmendi se sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare të Auditimit, nga viti 2023 konsumatorët e rrymës në Kosovë paguajnë tarifën e Fondit të BRE-ve katërfish më shtrenjtë – 3.14 euro për megavatë orë, nga 73 cent sa ishte në vitin 2022.
“Kjo rritje erdhi si rezultat i dështimit të KOSTT-it dhe ZRrE-së në menaxhimin e këtij Fondi dhe favoreve ndaj prodhuesve të energjisë së ripërtëritshme në kurriz të konsumatorëve,” citon Bajrami nga shkrimi i Sinanajt.
Në fund, ajo theksoi se ata që po e mundësojnë dhe po e lejojnë këtë “vjedhje” e kanë bekimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe të kryeministrit Albin Kurti.
“Militanta, a po e cilësojmë patriotizëm edhe këtë?”, përfundoi reagimin e saj Bajrami. /Kosova.info/
