Vojvoda e Gallapeni plot besim para ndeshjes me Slloveninë

Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni janë të bindur se Kosova do të hyjë në fushë për fitore kundër Sllovenisë.

Dy mbrojtësit e “Dardanëve” e kanë quajtur këtë ndeshje “finale”, duke theksuar se ekipi është gati fizikisht dhe psikologjikisht për të arritur një rezultat që mund të shkruajë histori.

“Jemi gati për lojë dhe po përgatitemi sikur për një finale. E dimë se Sllovenia është kundërshtar i fortë, por ne do të hyjmë për tri pikë. Një pikë mund të jetë e mirë, por kur hyn në fushë luan për fitore”, ka thënë Vojvoda.

Ndërsa Gallapeni ka parashikuar një ndeshje të luftuar nga të dyja anët. “Atmosfera në grup është shumë pozitive. Këto dy ndeshje janë jetike dhe duam të arrijmë diçka historike për Kosovën. Do të jetë një ndeshje e hapur, sepse të dyja skuadrat kanë nevojë për fitore”, ka thënë ai. 

Kombëtarja e Kosovës po vazhdon përgatitjet për ndeshjen e parë vendimtare të këtij muaji në kualifikimet për Botërorin 2026.

Ndeshja zhvillohet të shtunën në stadiumin “Stozice” të Lubjanës. Para nisjes drejt Sllovenisë, kombëtarja do ta zhvillojë nesër stërvitjen e fundit në orët e paradites. 


Go to TOP