Raci: Shqetësuese që institucionet vitale të shtetit po përdoren për interesa ditore politike
Opinionisti Gazmir Raci deklaroi se është shumë shqetësuese tendenca e muajve të fundit për t’i përdorur disa institucione vitale të shtetit për beteja të përditshme ditore politike.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ai shprehet se kjo tendencë filloi me FSK-në dhe po vazhdon me AKI-në, institucion ky që u përmend lidhur me një lajm që u publikua në televizionin publik.
“Mendoj që të dy institucionet janë aq të rëndësishme saqë ne mund të rrezikojmë në momente të caktuara duke u marr më këso lloj lajmesh që të prishim raportet në mes të këtyre institucioneve dhe partnerëve”.
“Para dy-tre muajsh kishim një vizitë shumë të rëndësishme në AKI, pra ishte shefi i CIA-s amerikane, i cili foli fjalë miradije për këtë institucion. Andaj duke qenë se janë institucione të rëndësishme e vitale që merren me sigurinë kombëtare të vendit, do të duhej të kishte një minimum të etikës se si duhet të trajtohen. Po flas për të gjithë”, u shpreh Raci.
