Qyteti flet përmes sinjalit: si mund ta zgjidhin telefonat trafikun e dendur të Prishtinës?!
Nga: Besart Vllahinja
Prishtina çdo mëngjes dhe çdo pasdite hyn në të njëjtin ritual të lodhshëm: kolonat e gjata të veturave, semaforët që ndërrohen pa ritëm me realitetin e rrugës dhe nervozizmi i qytetarëve që humbin kohë, energji dhe produktivitet. Paradoksi është se qyteti tashmë ka në dispozicion një nga burimet më të fuqishme të informacionit për të kuptuar këtë problem: telefonat mobilë që i mbajmë në xhepat tanë.
Çdo lëvizje në qytet, reflektohet në rrjetet e operatorëve të telefonisë mobile. Teknologjia bashkëkohore e komunikimeve mobile mundëson sot përcaktimin relativisht të saktë të kahut të lëvizjes së njerëzve dhe matjen e dendësisë së popullsisë në hapësira të caktuara urbane përmes analizës së sinjaleve të telefonave celularë. Kjo realizohet përmes disa metodave teknologjike të mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave.
Operatorët e telefonisë mobile regjistrojnë lidhjen e një pajisjeje me antenat përkatëse të rrjetit. Kur një përdorues lëviz nëpër qytet, telefoni kalon gradualisht nga një kullë në tjetrën. Analiza e këtyre kalimeve lejon përcaktimin e drejtimit të lëvizjes, shpejtësisë relative dhe rrjedhës së përgjithshme të mobilitetit në një zonë të caktuar.
Në një nivel më të gjerë, dendësia e njerëzve në rajone të ndryshme matet përmes agregimit dhe analizës së këtyre të dhënave në platforma të mëdha analitike (Big Data). Përmes teknikave vizuale si „hartat e nxehtësisë” (heat maps), mund të identifikohen zonat ku ka përqendrim më të madh të sinjaleve aktive, duke reflektuar kështu edhe përqendrimin e njerëzve në hapësirë. Njëkohësisht, analiza e dinamikës kohore mundëson krahasimin e këtyre përqendrimeve gjatë intervaleve të ndryshme të ditës.
Është e rëndësishme të theksohet se, në kushtet normale ligjore dhe teknike, këto të dhëna përpunohen në mënyrë të anonimizuar dhe të agreguar. Institucionet apo kompanitë nuk identifikojnë individët konkretë, por analizojnë modele statistikore të lëvizjes, një seri “pikash” anonime që tregojnë rrjedhën e njerëzve në hapësirë.
Edhe në këtë formë të anonimizuar, këto informacione kanë vlerë të madhe për menaxhimin urban dhe situatat emergjente, pasi mund të ndihmojnë në organizimin e evakuimeve, në kuptimin e shpërndarjes së popullsisë pas një fatkeqësie natyrore, apo në planifikimin më efikas të infrastrukturës dhe shërbimeve publike.
Këto të dhëna mund të përdoren për të analizuar rrjedhën e trafikut, për të identifikuar pikat kritike dhe për të marrë vendime më inteligjente për menaxhimin e komunikacionit.
Nëse kjo qasje do të zbatohej në Prishtinë, qyteti mund të kalonte nga një model statik i menaxhimit të trafikut në një model dinamik dhe adaptiv. Aktualisht, shumica e rrugëve kanë konfigurime fikse të korsive. Zakonisht dy në një drejtim dhe dy në tjetrin. Por realiteti i trafikut nuk është simetrik gjatë gjithë ditës. Në orët e mëngjesit, shumica e automjeteve konvergjojnë drejt disa zonave të qytetit, ndërsa pasdite rrjedha përmbyset.
Kjo do të thotë se në shumë segmente rrugore kemi një situatë absurde: njëra anë e rrugës është e mbingarkuar, ndërsa tjetra është relativisht e lirë.
Zgjidhja mund të jetë ajo që quhet menaxhim dinamik i korsive.
Duke përdorur të dhënat e operatorëve mobilë për të identifikuar densitetin e lëvizjes në kohë reale, sistemi i trafikut mund të vendosë që në periudhat e pikut disa segmente rrugore të kalojnë nga konfigurimi 2+2 në 3+1. Pra, tre korsi për drejtimin me fluks më të madh dhe një për drejtimin tjetër.
Ky ndryshim nuk kërkon rindërtim të rrugëve. Ai mund të realizohet përmes tre elementeve kryesore:
Së pari, semaforët inteligjentë.
Semaforët mund të sinkronizohen me sistemin qendror të menaxhimit të trafikut dhe të përshtatin kohëzgjatjen e fazave sipas rrjedhës reale të automjeteve.
Së dyti, sinjalistika dinamike.
Panele elektronike mbi rrugë mund të tregojnë qartë se cila korsi është aktive për cilin drejtim. Në shumë qytete përdoren shenjat me shigjeta të gjelbra dhe “X” të kuq për të orientuar drejtimin e lëvizjes.
Së treti, shenjëzimi horizontal fleksibil.
Në disa segmente mund të përdoren shenja të ndriçuara ose sisteme LED që ndryshojnë drejtimin e korsisë sipas konfigurimit të momentit.
Në këtë mënyrë, rruga bëhet një sistem i gjallë që përshtatet me qytetin dhe jo një strukturë statike që e detyron qytetin të përshtatet me të.
Por përfitimi më i madh nuk është vetëm zvogëlimi i kolonave. Një sistem i tillë krijon edhe një bazë të re për vendimmarrje urbane të bazuar në të dhëna. Autoritetet mund të kuptojnë me saktësi se cilat zona prodhojnë më shumë trafik, cilat orare janë kritike dhe ku duhen investimet në transport publik apo në infrastrukturë.
Në thelb, Prishtina nuk ka nevojë vetëm për më shumë asfalt. Ajo ka nevojë për më shumë inteligjencë në përdorimin e rrugëve ekzistuese.
Infrastruktura për ta bërë këtë, pjesërisht, ekziston tashmë: rrjetet mobile, semaforët dhe teknologjitë e menaxhimit të trafikut. Ajo që mungon është integrimi i tyre në një sistem të vetëm.
Në një epokë ku qytetet konkurrojnë për të qenë më të mençura, Prishtina mund të fillojë me një ide të thjeshtë: të dëgjojë atë që “qyteti tashmë po thotë” përmes sinjaleve të telefonave të qytetarëve të saj.
Ndonjëherë zgjidhja për kaosin e trafikut nuk qëndron te ndërtimi i rrugëve të reja, por te leximi i saktë i ritmit të qytetit./Kosova.info/
