Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në vizitë zyrtare në Kosovë – Policia njofton për ndërprerje të përkohshme të trafikut

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës nga data 10 deri më 12 prill 2025.

Gjatë kësaj vizite zyrtare, Policia e Kosovës do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për sigurimin e eskortës dhe delegacionit shtetëror gjatë gjithë qëndrimit të tyre në Kosovë.

Për të siguruar lëvizjen e lirë dhe të sigurt të eskortës që do të hyjë në Kosovë nga pika kufitare e Vërmicës dhe për zhvillimin normal të aktiviteteve zyrtare të presidentit Begaj në rajonet e ndryshme të vendit, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore, përkatësisht përgjatë itinerarit të lëvizjes së delegacionit.

Ndërprerjet e trafikut do të jenë të shkurtra dhe të planifikuara, ndërsa në disa raste pritet edhe riorientimi i automjeteve në rrugë alternative. Policia e Kosovës apelon për mirëkuptim nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik duke theksuar se masat janë të përkohshme dhe në funksion të sigurisë së përgjithshme gjatë vizitës së nivelit të lartë shtetëror.

Policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe të ndihmojnë në mbarëvajtjen e kësaj vizite zyrtare që simbolizon miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. /Kosova.info/


Go to TOP