Politika demokratike është pazar, çdo gjë tjetër është diktaturë

Shkruan: Agon MALIQI

Kurti sot paska thënë se nuk bën politikë pazaresh. Në thelb me pazar ai e ka fjalën për kompromisin dhe konsensusin, gjërat më elementare të demokracisë, të cilat ai dhe VV i kanë kthyer në fjalë të ndyta në kulturën tonë politike, duke na ka paralizuar së brendshmi në vendimmarrje dhe duke na izoluar jashtë.

Politika demokratike në thelb është qeverisje përmes pazareve. Gati 1 milionë votues nuk mund të kenë interesa dhe bindje të njëjta. Ata grupohen dhe votojnë, dhe nëse dikush nuk ka shumicë, imponohet një pazar (konsensus) ku dikush merr diçka dhe lëshon diçka tjetër në kthim. Politikani më i shkathtë në demokraci është ai që e nxjerr pazarin më të mirë dhe e ndërton koalicionin e interesave fituese.

Në demokraci nuk ka arbitër politik i cili mund të mbivendoset si Zot për të thënë se një pazar është më i moralshëm dhe i drejtë se tjetri. Këtë mund ta bëjnë vetëm votuesit në zgjedhjet e radhës, nëse personi për të cilin kanë votuar nuk e ka nxjerrë pazarin më të mirë, ose e ka tradhtuar ndonjë interes. Nëse pazari është korruptiv, me këtë merret edhe gjykata.

Të thuash se nuk bën politikë pazaresh do të thotë se refuzon të qeverisësh në demokraci dhe të kufizohesh nga interesa dhe bindje të tjera prej të tuave. Politikani/ja që nuk e pranon demokracinë si pazar idesh dhe interesash në thelb e ka ëndërr vetëm autokracinë.


Go to TOP