Përfaqësues të Odës Amerikane zhvillojnë takime në Departamentin e Shtetit

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, është pritur në takim në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë qëndrimit në Uashington, Zeka u takua me Lyn Debevois, zëvendësdrejtoreshë për Çështjet e Evropës Qendrore Perëndimore në Departamentin e Shtetit. Ai e cilësoi takimin si produktiv, duke theksuar se në fokus të diskutimeve ishin prioritetet kryesore të avokimit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Sipas njoftimit, bashkëbisedimi u përqendrua në forcimin e atraktivitetit të Kosovës për investimet amerikane, avancimin e politikave prioritare në sektorin e energjisë dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. Po ashtu, u theksua rëndësia e një angazhimi më aktiv dhe të strukturuar ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, me synim përmirësimin e klimës së të bërit biznes në vend.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ndaj përpjekjeve të Odës, përfshirë edhe avancimin e agjendës së sovranitetit digjital të Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP