Së paku 14 persona humbën jetën pas shembjes së një strehe prej betoni mbi hyrjen e një stacioni hekurudhor në Novi Sad të Serbisë.
Qeveria e vendit shpalli ditë zie kombëtare më 2 nëntor, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiq u zotua se personat përgjegjës për atë që ndodhi, “do të ndiqen penalisht dhe do të dënohen rëndë”. /REL/
Ngjarja ndodhi pasditen e 1 nëntorit në qytetin e dytë më të madh të Serbisë.
Dhjetëra punonjës të emergjencës, me vinça dhe ekskavatorë, u angazhuan në operacione të kërkim-shpëtimit.
Së paku tre persona të plagosur raportohet se janë në gjendje të rëndë. “Një djalë 18 vjeç dhe dy vajza 21 dhe 23 vjeçe janë plagosur rëndë dhe jeta e tyre është në rrezik”, tha zëdhënësi i shërbimeve të urgjencës në Novi Sad, Zoran Krul.
Deri në orët e mbrëmjes më 1 nëntor u identifikuan 7 persona të vdekur – më i riu prej tyre i lindur në vitin 2004 dhe më i vjetri i lindur më 1979.
Hekurudhat e Serbisë thanë përmes një deklarate se pjesa e çatisë që u shemb, nuk ishte pjesë e rinovimit.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, u zotua se autoritetet do ta hetojnë shkakun e aksidentit. “Ne do të këmbëngulim derisa t’i gjejmë përgjegjësit, ata që duhej të garantonin për sigurinë e strukturës”, tha ai, duke shtuar se është “thellësisht i tronditur nga tragjedia”.
Me vendim të Qeverisë, 2 nëntori u shpall ditë zie në Serbi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka kërkuar nga Prokuroria e Lartë në Novi Sad dhe Qeveria e Serbisë që personat përgjegjës për atë që ka ndodhur, të ndiqen penalisht dhe të dënohen rëndë.
Kërkim-shpëtimi po vazhdonte edhe në orët e mbrëmjes, pasi autoritetet thanë se nuk janë të sigurta nëse nën rrënoja nuk ka më njerëz.
Qytetarët e Novi Sadit ndezën qirinj pranë vendit ku ndodhi tragjedia.