​OVL UÇK organizon protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK

Organizata e Veteranëve të Luftës do të organizojë më 7 gusht në Prishtinë protestë gjithëpopullore kundër mbajtjes së padrejtë të ish-krerëve të UÇK-së në burgun e Hagës.

Në një konferencë për media të hënën, Hysni Gucati, kryetar i OVL UÇK, tha se protesta do të mbahet duke filluar nga ora 17:00.

Gucati: Shokët tanë të luftës po mbahen padrejtësisht në Hagë

“Më datën 7 gusht, në ora 17:00, do ta organizojmë një protestë gjithëpopullore, protesta do të jetë karakter për shokët tonë që janë në Hagë që gjinden padrejtësisht në burg,” tha Gucati.

Përveç kësaj, Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, u shpreh se gjykimi i luftëtarëve të UÇK-së është i padrejtë dhe përbëhet nga një gjykatë që ata nuk e njohin.

Jashari: Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen padrejtësisht në Hagë

“Të gjithë ata që e kanë marrë armën, të gjithë ata që iu kanë përgjigjur luftës së UÇK-së, madje edhe ata që e kanë ndihmuar këtë luftë janë brenda një aktakuze të padrejtë nga një gjykatë të cilën ju e dini, për arsye se po bën padrejtësi, ne nuk e kemi njohur”, ka thënë Jashari.

Po ashtu Jashari theksoi se mënyra se në të cilën është ngritur Gjykata Speciale është dashur që të jetë inekzistente.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020.

Ata ngarkohen për kinse krime lufte. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023.Emisari amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell ka shprehur përkrahje për ish-presidentin, Hashim Thaçi duke e cilësuar si të turpshëm faktin që ai po mbahet ende në paraburgim. Grenell e ka quajtur Hagën si një institucion i cili nuk funksionon.

“Jack Smith (po, ai) arrestoi Thaçin në vitin 2020 kur Donald Trump po punonte për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Është shumë e turpshme që ai është ende në burg. Është një mashtrim. Haga është e prishur”, ka shkruar Grenell.


Go to TOP