OSBE shpreh shqetësim pas mbylljes së zyrave serbe në veri
Edhe Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka reaguar lidhur me mbylljen e zyrave të institucioneve serbe në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Ky mision tha se është i shqetësuar me ndikimin që do të kenë te komunitetet joshumicë mbyllja e zyrave në Mitrovicë të Veriut nga të cilat popullsia varet për “kujdes shëndetësor, pensione, materiale shkollore dhe mbështetje sociale”.
“Ndërprerja e këtyre shërbimeve prek në mënyrë disproporcionale më së shumti të moshuarit, njerëzit me nevoja të veçanta dhe familjet që kanë kushte të rënda. Çdo masë që prek shërbimet publike duhet të sigurojë qasje të pandërprerë për të gjitha komunitetet, ndërkaq mosmarrëveshjet duhet të adresohen përmes dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe në konsultim me komunitetet lokale”, tha OSBE-ja më 13 shtator.
Ndryshe, Fondi për Sigurime Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut funksionon në kuadër të Fondit Republikan për Sigurime Shëndetësore të Serbisë dhe ofron shërbime në fushën e kujdesit shëndetësor – si vërtetimin e libreza shëndetësore, punët që lidhen me komisionet mjekësore, bën llogaritjen, kontrollin dhe pagesën e kompensimeve financiare, si dhe vërtetimin e kërkesave për ndihma mjekësore-teknike dhe të ngjashme.
Në mjediset serbe në Kosovë, të gjitha institucionet shëndetësore dhe arsimore funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.
