Nga rrënimi në rikthim, marshimi ynë drejt fitores së 14 nëntorit

Shkruan: Flamur SADRIU

Kur më 21 janar të këtij viti patëm bërë nderimet tona në Velani, para varrit të Presidentit Rugova, unë dhe shumë të tjerë besoj, kishim një ndjenjë faji brenda vetes. Ne po shkonim te prijësi ynë shpirtëror, me LDK-në tonë të katandisur si mos më keq. Lidhja që nisi si lëvizje gjithëpopullore, e që në zenitin e saj i kishte mbi 800,000 anëtarë, tani ishte kthyer në partinë më të urryer në Kosovë. Padrejtësisht, ishte bërë tabelë qitjeje për gjithkë. Televizionet tona ishin shndërruar në gryka artilerie të propagandës, që kishin veç një mision: shembjen e kështjellës së quajtur LDK. Mbi kurrizin e saj të fortë, po ngarkoheshin hipoteka që s’i takonin; por gjithsesi, kjo i duhej lënë kohës për ta dëshmuar.

Më pas ndodhi ajo që ndodhi, siç e dimë të gjithë, dhe Lidhja jonë madhështore hyri në një proces të thellë reformimi. Një rirreshtim nga lartë-poshtë, që duhej ta kthente atë sërish në binarët e një partie konkurruese në vend. Për t’i bërë ballë pushtetit Krejt dhe Drejt, reforma duhej bërë saktë dhe shpejt. Dhe për fat të mirë, kështu ndodhi vërtetë. Partia më e vjetër në Kosovë, zgjodhi për kryetar një ndër figurat më të reja të saj, Lumir Abdixhikun. LDK-ja e Ibrahim Rugovës, tani po udhëhiqej nga Brezi i Republikës. Kështu ndodhi edhe me Kryesinë.

Që të mund të ishte një parti sfiduese dhe fituese, LDK-ja duhej ta induktonte këtë frymë të rigjenerimit dhe transformimit edhe në caktimin e kandidatëve për kryetarë komunash. Lidhja e vjetër kishte nevojë për “gjak të ri”. Prandaj, ajo doli jashtë vetes për t’i sjellë më të mirët e Kosovës brenda LDK-së. Në tri qendra të mëdha të Kosovës, u caktuan tri figura meritore, tre profesionistë, që ishin vlerë e shtuar për LDK-në dhe për mbarë politikën kosovare.

Natyrshëm, çka ra më së shumti në sy, ishte kandidatura e Përparim Ramës në kryeqytet, në Prishtinë. Kandidimi i arkitektit dhe urbanistit me një karrierë të bujshme, fituesit të panumërsisht shumë çmimeve, shpërblimeve e mirënjohjeve gjithandej botës, formëdhënësit të qindrave projekteve në kryeqendrat më të rëndësishme të globit; ishte një letër lakmuesi që tregonte se LDK-ja po ndryshonte rrënjësisht për të mirë.

Mirëpo sikurse e kemi parë të gjithë, Përparim Rama nuk është nga ata që të tjerëve u’a përplas fytyrës arritjet e tij. Siç edhe i ka hije të birit të një familje të njohur intelektuale dhe patriotike, sjellja e tij nuk reflekton biografinë e tij. Modestia njerëzore në më të mirën e saj. Ai ka ardhur nga Londra në Prishtinë me vetëm një qëllim: për të prirë në zhvillimin dhe përmirësimin e kësaj të fundit. Për t’ia kthyer “borxhin” që i duket se i’a ka vendlindjes së tij. Në këta muaj, Përparim Rama ka takuar shumë banorë të Prishtinës. I ka dëgjuar me kujdes hallet e tyre; i ka mbajtur shënim kërkesat e tyre. Kjo ishte baza e hartimit të programit të jashtëzakonshëm 51-faqësh, një vizion i realizueshëm i një Prishtine krejt tjetër.

Një Prishtine Praktike, me një qendër shumë më të madhe, me shumë aktivitete brenda saj. Një Prishtine me 7 shkolla të reja; me çerdhe private të subvencionuara me 70 euro në muaj, që për xhepin e prindit prishtinas kushtojnë aq sa çerdhet publike. Një standard i ri në Shëndetësi: 1 QKMF për 10,000 banorë. Ky vizion si shtyllë të dytë ka Prishtinën e Gjelbër, me parqe në çdo lagje, rivitalizimit i atyre ekzistuese dhe krijim të tyre aty ku nuk ka; me investime në fshatra me qëllim të nxitjes së turizmit rural dhe ndërlidhjen e Prishtinës me fshatrat e saj përmes investimeve në infrastrukturë rrugore; e plot politika të tjera të mbara që qytetari i Prishtinës të frymojë më lirshëm.

E treta por jo më pak e rëndësishmja është Prishtina e Përjetimeve. Një Prishtinë me një Teatër të Qytetit; me Sallë Koncertale; me një Gastronomi edhe më të fuqizuar se ç’është tashmë. Përmbledhur në pak fjali, kështu duket vizioni i Përparim Ramës për transformimin e Prishtinës. Pra, tashmë jemi një votë larg epokës tjetër për Prishtinën, një hap larg kapërcimit të madh. Andaj, ju ftoj miqësisht që më 14 nëntor, të gjithë ne bashkë ta hedhim atë hap.

Go to TOP