Edhe kur fetarisht a partiakisht jemi të ndryshëm SHQIPTARIA na bashkon!

Shkruan: Xhevat Gjini

Prandaj, cilido shqiptar, personalitet, medium, institucion (politik, kulturor, fetar…) që besimin – religjionin e bënë “çështje” debati në shoqërinë tonë, i bënë dëm të madh çështjes së pazgjidhur shqiptare.


Nismat, thirrjet, angazhimi dhe “projektet” me karakter religjioz dhe për religjione, të cilës do fe qofshin, në thelbin e tyre janë kundër unitetit dhe kohezionit kombëtar, social, kulturor e politik.
Shoqëria shqiptare, sidomos institucionet shtetërore, duhet të jenë rreptësisht laike dhe neutrale ndaj feve-religjioneve.


Populli shqiptar, në të gjitha trojet e tij, por edhe jashtë Atdheut, ka nevojë si i verbëri për dritën, për shkollë kombëtare, kulturë, art dhe institucione politike e shtetërore kombëtare-shqiptare.
Ka qenë, është dhe do të ishte me interes jetik që religjionet-besimet të jenë të pavarura nga qendrat, shtetet dhe ndikimet e huaja.
Besimet-religjionet që janë të “ngulitura” në shpirtin dhe mendjen e një pjese të popullit tonë duhet të kenë fytyrë kombëtare shqiptare dhe duhet t’i luten dhe përkulen vetëm Perëndisë, Kryeheroit dhe Kryeprofetit tonë, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, heronjve dhe profetëve tanë kombëtar, kombit dhe Atdheut tonë të përbashkët dhe përbashkues, Shqipërisë!
Nismat dhe thirrjet për të lënë një fe dhe për t’u konvertuar në një fe tjetër janë sa të dëmshme aq edhe absurde e primitive për një shoqëri laike dhe sidomos për shqiptarët që kurrë nuk janë identifikuar me religjionin, por me kombin, atdheun, gjuhën e flamurin e tyre.
Feja në çdo shoqëri të emancipuar është çështje krejtësisht personale, siç ishte gjithmonë edhe te shqiptarët. Prandaj, hiqeni mendjen nga fetë-religjionet dhe përqendrohuni te çështja e pazgjidhur shqiptare, te dija, kultura, zhvillimi, përparimi, emancipimi…
SHQIPTARIA është përmbledhje, shprehje dhe afirmim i vlerave tona kombëtare: gjuhësore, shpirtërore, materiale, kulturore, historike dhe civilizuese, që përbëjnë thelbin dhe boshtin e qenies shqiptare, e të qenit shqiptar.
Të gjithë me një zë: Rroftë kombi shqiptar! Rroftë Shqipëria! Rroftë shqiptaria!

(Në foto me atë Nikollën dhe me shokun tim, Gaspër Demajn)

Go to TOP