Nexhmi Muçiqi rizgjidhet kryetar i Shoqatës “Çamëria” në Kosovë: Dëmtimi i emrit Çamëri ndodh vetëm mbi arkivolin tim
Shoqata “Çamëria” në Kosovë ka mbajtur sot Kuvendin e saj të pestë, ku është zgjedhur kryetari i ri, Nexhmi Muçiqi, si dhe kryesia e re.
Pas zgjedhjes, Muçiqi tha se ndihet i privilegjuar për të drejtuar sërish shoqatën duke theksuar se për nëntë vite radhazi është punuar me përkushtim për çështjen çame dhe kjo përpjekje do të vazhdojë.
“Punoni çfarë të doni, bëni çfarë të doni, por dëmtimi i emrit ‘Çamëri’ ndodh vetëm mbi arkivolin tim. I lusim institucionet e Greqisë që ta vendosin në sipërfaqe çështjen çame dhe ta trajtojnë me seriozitet, sepse dikur do të bëhet vonë. Nëse nuk ia dalim ne, gjeneratat e reja do ta vazhdojnë këtë rrugë. Shoqata ‘Çamëria’ nuk ka nevojë për pushtetarë, por për mbështetje institucionale, kritika e këshilla”, tha Muçiqi.
Sekretari i shoqatës, Isuf Kuçi, vlerësoi se kjo shoqatë është një nga boshtet kryesore të aktiviteteve kombëtare në Kosovë. Sipas tij, gjatë nëntë viteve të ekzistencës janë zhvilluar dhjetëra aktivitete, konferenca dhe nisma sensibilizuese në koordinim me Shoqatën Patriotike “Çamëria” në Tiranë, me qëllim ruajtjen e kujtesës historike, ngritjen e zërit për padrejtësitë dhe forcimin e unitetit kombëtar.
Veprimtari Zenel Krasniqi u shpreh se shoqata ka zhvilluar aktivitete me rëndësi të madhe për çështjen çame që nga themelimi, ndërsa bashkëthemeluesi Aziz Bytyqi e cilësoi Muçiqin si lider të përkushtuar që ka kontribuar me mjete financiare dhe në themelimin e degëve të shoqatës edhe jashtë trojeve shqiptare.
Nga ana e tij, Ismail Selmani-Mala, kryetar i iniciativës “Të gjithë për luftëtarin”, tha se shoqata “Çamëria” për dhjetë vite ia ka kushtuar gjithë aktivitetin kombit shqiptar dhe veçanërisht Çamërisë. Ai theksoi se tashmë nevojitet më shumë punë, angazhim dhe unitet për të ngritur “zërin e arsyes” dhe për të kërkuar tokat arbërore.
Në përfundim të kuvendit, përveç Muçiqit si kryetar, u zgjodhën Isuf Kuçi sekretar, ndërsa nënkryetarë Agim Berisha dhe Fadil Pushkolli. Anëtarë të tjerë të kryesisë janë Zenel Krasniqi, Riza Alija, Aziz Bytyqi, Reshat Blakçori e të tjerë. /Kosova.info/
