Në samitin për Ukrainën, vendet e Evropës Juglindore miratojnë deklaratën në mbështetje të Kievit
Përfaqësuesit e 12 vendeve të Evropës Juglindore miratuan të mërkurën vonë Deklaratën e samitit për Ukrainën në Dubrovnik të Kroacisë, ku mori pjesë edhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e dënuar agresionin rus dhe duke e mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Deklarata e dënon agresionin rus në Ukrainë, e mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke përfshirë gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e uzurpoi më 2014, si dhe shpreh mbështetjen për planin e paqes të Zelenskyt dhe thekson se kushti për paqen është tërheqja e trupave ruse nga Ukraina.
Udhëheqësit e vendeve mbështetën integrimin evropian të Kievit dhe anëtarësimin në NATO kur të plotësohen kushtet.
Deklarata thekson gjithashtu rëndësinë e sigurisë energjetike të Ukrainës, veçanërisht duke pasur parasysh dimrin e ardhshëm. Në këtë kuadër, u konsiderua ofrimi i ndihmës për atë vend për të zbutur pasojat që pësoi sektori energjetik nga sulmet ruse.
Më tej thuhet se termocentrali bërthamor i Zaporizhja duhet të kthehet në kontrollin e Ukrainës dhe të funksionojë në përputhje me parimet e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Zaporizhja aktualisht është nën kontrollin rus.
Duke folur gjatë samitit, Zelensky tha se, nëse Evropa nuk është e bashkuar, atëherë “nuk mund të presim paqe”.
“Askujt në Evropë nuk duhet t’ia sjellim ndër mend se sa e çmuar është paqja, veçanërisht këtu në Ballkan. Çfarë ndodh në Ballkan dhe çfarë ndodh këtu në Ukrainë, në një farë mënyre, përcakton stabilitetin e të gjithë Evropës. Faleminderit për mbështetjen tuaj dhe që jeni ngritur kundër përpjekjeve të Rusisë për ta destabilizuar edhe këtë rajon”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas tha se prej korrikut janë duke punuar në një dokument që do të përmbajë kushtet që “duhen plotësuar për një përfundim të drejtë të luftës” dhe u bëri thirrje pjesëmarrësve të Samitit që të përfshihen në atë proces.
Mikpritësi i samitit, kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, tha se mbrojtja kundër agresionit rus nuk është vetëm një çështje solidariteti me Ukrainën, por interes kyç gjeopolitik për të gjithë.
“Kështu [duke ndihmuar Ukrainën] ne po investojmë në të ardhmen e fëmijëve tanë në të gjithë Evropën… Mosdënimi i Rusisë në këtë sulm ndaj Ukrainës do të inkurajonte regjimet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë. Në Evropën Juglindore, ne nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë”, shtoi ai.
Në këtë samit Kosovën e përfaqësoi presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se po merr pjesë në samitin në Dubrovnik për ta “riafirmuar mbështetjen për të drejtën e popullit ukrainas për të jetuar në liri”.Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua me Zelenskyn gjatë samitit në Dubrovnik, ku po merr pjesë edhe pse paraprakisht ishte paralajmëruar se Serbia do të përfaqësohej nga ministri i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq, transmeton agjencia e lajmeve Beta.
Para fillimit të Samitit, Pllenkoviq dhe Zelensky nënshkruan një marrëveshje dypalëshe për mbështetje dhe bashkëpunim afatgjatë.
Marrëveshja përqendrohet në përvojat e Kroacisë në ndjekjen penale të krimeve të luftës, mbështetjen e veteranëve të luftës dhe heqjen e minave.
Së bashku me Zelenskyn dhe Pllenkoviqin në samit morën pjesë edhe krerët e shteteve, kryeministrat dhe ministrat e jashtëm nga Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Turqia.
Ky është samiti i tretë për Ukrainën mes Ukrainës dhe Evropës Juglindore prej se Rusia e filloi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022, me të parin që u mbajt në Greqi dhe të dytin në Shqipëri.
Fushata për ndihmë ushtarake
Takimi pranë brigjeve të Adriatikut është samiti i tretë “Ukraina-Evropa Juglindore”.
Në samitin e fundit të mbajtur në Shqipëri në shkurt, Zelensky bëri thirrje për mbështetje më të madhe për të ndihmuar në mbrojtjen kundër forcave ruse.
Ai vazhdoi të kërkojë më shumë ndihmë, ndërsa Rusia po përfiton në fushëbetejë nga avantazhi me burime njerëzore dhe municione.
Zelensky gjithashtu kërkoi leje për të përdorur armët me rreze të gjatë, që janë dhënë nga aleatët, për të sulmuar objektiva ushtarake thellë brenda territorit rus.
Një deklaratë e përbashkët në fund të samitit pritet të dënojë agresionin rus, të mbështesë integritetin territorial të Ukrainës dhe planin e paqes të Zelenskyt, të kërkojë ndjekje penale për krimet e luftës në Ukrainë dhe të mbështesë integrimin evropian dhe anëtarësimin në NATO të Kievit, sipas mediave lokale.
Përplasje në Kroaci për Ukrainën
Pllenkoviq tha se në dy vjetët e fundit, ndihma e Kroacisë për Ukrainën, kryesisht ushtarake, arrin në 300 milionë euro.
Ai vizitoi Kievin muajin e kaluar, në vizitën e tij të tretë në Ukrainë që nga pushtimi rus në shkurt të vitit 2022, ndërsa kjo do të jetë vizita e parë e Zelenskyt në Kroaci.
Lideri ukrainas pritet të nënshkruajë një marrëveshje me Pllenkoviqin për mbështetje dhe bashkëpunim afatgjatë ndërmjet dy vendeve.
Marrëveshja do të përqendrohet kryesisht në përvojën e Kroacisë për ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe largimin e minave pas luftërave të Ballkanit të viteve 1990.
Por, takimi ndodh në mes të një përplasjeje të brendshme për Ukrainën midis qeverisë konservatore të Kroacisë dhe presidentit Zoran Millanoviq.
Millanoviq refuzoi më herët këtë muaj ta mbështeste propozimin e Qeverisë për të dërguar oficerë kroatë në një mision të NATO-s në Gjermani për të trajnuar ushtarët ukrainas.
Presidenti, i cili ka kompetenca të kufizuara, por është komandant suprem i forcave të armatosura të vendit, tha se nuk do të lejojë që ushtarët kroatë të “marrin pjesë në aktivitete që e shtyjnë Kroacinë drejt luftës”.
Kryeministri akuzoi Millanoviqin se po vepronte kundër interesave kombëtare. Ai u bëri thirrje deputetëve ta rrëzojnë vendimin e presidentit, gjë që do të kërkonte një shumicë prej dy të tretave të votave në Parlament.