Messi vjen me mesazh emocionues para finales me Spanjën

Lionel Messi ka zgjedhur të flasë me zemër në prag të finales së Kupës së Botës ndaj Spanjës.

Kapiteni i Argjentinës publikoi një mesazh emocional në rrjetet sociale, me të cilin motivoi bashkëlojtarët për sfidën vendimtare, por njëkohësisht la të kuptohet se kjo mund të jetë paraqitja e tij e fundit me fanellën e kombëtares.

Ylli argjentinas vuri në pah se vlera më e madhe e këtij rrugëtimi nuk kanë qenë vetëm trofetë, por edhe përvoja e ndarë me grupin gjatë viteve.

“Pjesa më e mirë e të gjitha këtyre viteve nuk ishin vetëm titujt, por i gjithë udhëtimi. Ndarja e çdo dite me këtë grup, garimi së bashku, rikthimi në kohë të vështira dhe shijimi i çdo hapi”, ka shkruar Messi.

Messi shprehu mirënjohjen për bashkëlojtarët, stafin teknik dhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë e suksesit të Argjentinës, duke theksuar frymën familjare që ka karakterizuar këtë ekip.

“Faleminderit secilit prej shokëve të ekipit tim, stafit të trajnerëve dhe të gjithë atyre që punojnë çdo ditë për ta mbajtur këtë ekip një familje.”

Në fund të mesazhit, fituesi i tetë herë i “Topit të Artë” dha një deklaratë që është interpretuar nga shumë tifozë si një sinjal i mundshëm i lamtumirës nga kombëtarja.

“Çfarëdo që të ndodhë në finale, ky grup ka shkruar tashmë një histori që nuk do ta harrojmë kurrë dhe që askush nuk mund ta fshijë.”

Fjalët e Messit kanë prekur tifozët në mbarë botën dhe kanë shtuar emocionet në prag të finales së madhe, ku Argjentina synon të mbrojë titullin e kampiones së botës përballë Spanjës. Deklarata e tij ka ndezur gjithashtu spekulimet se ndeshja e së dielës mund të shënojë fundin e një epoke për një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e këtij sporti.


Go to TOP