Muharremi: Pa konstituivin e Kuvendit sipas rregullave nuk ka mandat për qeveri
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ndaj raportimeve në media se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po përballet me dilema nëse duhet t’i japë mandatin Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë, përderisa ekzistojnë dyshime mbi konstituivin e Kuvendit.
Sipas tij, fakti që Osmani ka takuar kryetarin e ri të Kuvendit nuk përbën problem, pasi ai është zgjedhur në mënyrë legjitime dhe sipas rregullave. Mirëpo, ai thekson se ky akt është i ndarë nga procesi i konstituivit të Kuvendit, i cili ende nuk ka përfunduar sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
“Nuk mund ta besoj që njerëzit po e vënë në pikëpyetje dhe po mendojnë se Vjosa Osmani do të bënte një gjë të tillë. Pse do ta shkelte ajo Kushtetutën?”, ka deklaruar Muharremi.
Ai shton se të gjithë janë të vetëdijshëm, përfshirë edhe LVV-në, që Kuvendi nuk është konstituuar sipas procedurave ligjore dhe kushtetuese, ndaj procesi duhet të përsëritet.
“LVV mund ta ketë mandatin dhe i takon, por duhet të kalojë përmes rregullave kushtetuese. Sa më përket mua, kjo nuk ka as 1% gjasa të ndodhë tani”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/
