Miftaraj: Vendimi për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është kundërshtuar nga Këshilli Gjyqësor

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, me anë të së cilit gjyqtarëve dhe Prokurorëve t’u kthehen pagat në nivelin që ato ishin para rritjes së bërë me vendim të Qeverisë Haradinaj, në vitin 2017, ka ngjallur reagime të shumta. Ky vendim është kundërshtuar ashpër nga Këshilli Gjyqësor, i cili ka marrë vendim që të reduktojë punën e gjykatave dhe të pezullojë çdo bashkëpunim apo aktivitet, ku prezentë janë përfaqësues të Qeverisë.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në një intervistë për “IndeksOnline”, vendimin e fundit të Qeverisë për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, e ka quajtur jo vetëm cenim të Kushtetutës dhe ligjit por edhe cenim të sigurisë juridike. 

“Një vendim i tillë përveç që e cenon kushtetutën, ligjin dhe standardet kombëtare, por e cenon edhe një akt gjykim të Gjykatës Kushtetuese, i cili ai aktgjykim fatkeqësisht e kishte konfirmuar si të ligjshëm të Qeverisë Haradinaj të vitit 2017. Një vendim i tillë përveç që shkel kushtetutën, fatkeqësisht edhe e cenon sigurinë juridike, sigurinë financiarë të prokurorëve, i cili pastaj u pasua edhe me një vendim të këshillit Gjyqësorë të Kosovës, të cilët nga sot vendos që t’i punojnë vetëm në punë esenciale. Ku vetëm nga monitorimi i IKD-së për sot kemi parë seanca gjyqësore, në çështjet penale civile administrative por edhe komerciale që janë anuluar. Në këtë drejtin si vendimi i Qeverisë, si vendim i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për të larë hesapet mes veti, faturën po e paguajnë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Myftaraj.

Miftaraj  tha se kryeministri Albin Kurti para marrjes së vendimeve të tilla, të cilat kanë interes publik, duhet të konsultohet me palën tjetër. Ndërsa kritikoi këshilltarët e kryeministrit Kurti, për të cilët tha se kanë mungesë të njohurive elementare, për sistemin e drejtësisë.

“Duhet të kishte një komunikim mes Këshillit Gjyqësor, Prokurorial dhe përfaqësues të Qeverisë… Jo vetëm Qeveria Kurti, por çdo institucion publik, në çdo rast kur merret vendimi, si ky që kanë interes publik dhe prekin grupet e interesit, ku preken të drejtat dhe liritë e qytetarëve, do të duhej të kishte dialog konstruktiv dhe konsultime. Ku gjithashtu të merrte mendime dhe opinione të tjerëve. Nëse këtë do të bënte Qeveria Kurti, sigurisht nuk do të vinte deri të kjo situatë. Kryeministri Kurti është në lajthitje nga vetë këshilltarët e tij, të cilët fatkeqësisht duket, që kanë mungesë të njohurive elementare për sistemin e drejtësisë “, tha ai.

Ai po ashtu kritikoi kryeministrin Kurti, i cili mori vendim për ulje të pagave të Gjyqtarëve e Prokurorëve një ditë më parë, e po ashtu dhe vendimin e ish kryeministrit Ramush Haradinaj i cili i kishte dyfishuar këto paga, duke i quajtur këto vendime populiste , të cilat janë në kundërshtim me Ligjin.

“Demin më të madh që ja ka bërë sistemit të drejtësisë në Kosovë, me vendime të kundërligjshme ka qenë vet ish-kryeministri Haradinaj në vitin 2017 i cili ka vendosur që të dyfishoi pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke krijuar një disbalanc jo vetëm në mes gjyqësorit por edhe me profesione tjera në Republikën e Kosovës. Edhe në atë kohë IKD e ka konstatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ka vendosur që ai vendim ka qenë i ligjshëm. Vendimet e gjykata edhe kur mendojmë që kanë qenë jo të bazuara dhe në kundërshtim me ligjin dhe si rezultate i një vendimi të keq nga kryeministri Haradinaj në vitin 2017, po i shohim një vendim tjetër të keq nga kryeministri Kurti në vitin 2022.  Në vend që Qeveritë të marrin vendime të bazuara në ligj dhe interes të përgjithshëm,  marrin vendime populiste, të cilat po sjellin situata të tilla”,tha ai për IndeksOnline.

Ai po ashtu bëri të ditur se pagat e gjyqtarëve apo prokurorëve, në bazë të standardeve ndërkombëtare por edhe në bazë të asaj që përcakton vetë Kushtetuta në Kosovës, asnjëherë nuk mund të zbriten, përveç në rast kur ato janë subjekt i procedurave disiplinore./IndeksOnline/

Go to TOP