Mercenarët në studiot televizive

Shkruan: Bajram MJEKU

Pavarësisht a janë zgjedhjet nacionale a lokale dhe pavarësisht për cilën temë debatohet në studiot tona televizive, analistët e sotëm t’i kujtojnë mercenarët e të gjitha luftërave, të cilët luftojnë jo për liri e humanizëm, por për para e plaçkë.

Ftohen burrat e botës në studio televizive dhe me një rrotullim gjuhe shpallin humbës e fitues, patriotë e tradhtarë, hajdutë e humanistë, madje pa patur njohje dhe pa u takuar asnjëherë me personat që i lavdërojnë apo i gozhdojnë si Jezusin në kodrën e Golgotës!

Ky anatemim i njerëzve botërisht e çnjerëzisht, nuk ka ndodhur as në kampin komunist, kur liria e fjalës kishte çmimin e saj…

Për ata që nuk e dinë, po i jap dy shembuj të gazetarëve model, por fatmirësisht ka edhe të tjerë, të cilët balancojnë gënjeshtra e mizori, të kultivuara asnjëherë më shumë se sot.

Vetëm dy personalitete të shquara të gazetarisë botërore gëzuan privilegjin që nga tavolina të vlerësojnë paranojën dhe maninë e tiranit serb Sllobodan Millosheviç, pak kohë para se t’i niste katër luftëra në Ballkan. Është fjala për gazetarin amerikan, James Graff i prestigjiozes The Times, i cili që në fillim të viteve nëntëdhjetë paralajmëronte Millosheviqin “kasap të Ballkanit”. Këtë paralajmërim të së keqes e bëri edhe kolegu i tij gjermani Viktor Meier, në prestigjiozen gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung. Meierin shqiptarët e kujtojnë si gardianin e Kosovës evropiane dhe kritik të rreptë të strategjisë serbomadhe. Para se të bënte një paralajmërim të këtillë për tiranin serb, Meier e kishte eksploruar skenën politike kosovare që nga shpërthimi i demonstratave shqiptare në vitin 1968 në Prishtinë. Meier eksploroi ish-Jugosllavinë më shumë se dy dekada dhe tek pastaj u bë gardian i të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Kosovë!

Krejt në fund, me lexuesit e mi dëshiroj të ndajë diçka personale. E kam patur vetëm një ëndërr dhe ajo ishte që një ditë të bëhesha gazetar! Nuk di sa e kam përmbushur këtë ëndërr para publikut, por në dy dekadat e fundit, më ka sfiduar një tjetër ëndërr, e cila jo rrallë është përzier me makth dhe ajo është; sikur asnjëherë të mos isha gazetar!

Go to TOP