Me rënien e temperaturave, në kryeqytet fillon edhe ndotja e ajrit

Si çdo dimër tjetër edhe sivjet matësit e cilësisë së ajrit në kryeqytet tregojnë për ndotje të ajrit, për çka ekspertët e sëmundjeve kronike rekomandojnë qytetarët që të reduktojnë daljet jashtë gjatë ditëve kur vlerat e ndotjes së ajrit janë të larta.

Sipas tyre, kjo në veçanti vlen për personat me sëmundje kronike të cilët mund edhe të kenë  komplikime shëndetësore.

Me rënien e temperaturave, në kryeqytet fillon edhe ndotja e ajrit, Doktoresha Antigona Ukehaxhaj, specialiste e Shëndetit Publik IKSHPK-së thotë se gjatë muajve të ftohtë vërehet një tejkalim i koncentrimeve me PM 10 dhe PM 2.5 në disa qytete të Kosovës.

Kjo është pasojë e transportit të mbingarkuar, përdorimit të lëndëve djegëse në amvisëri dhe një përqindje u atribuohet industrive të vogla dhe të më mëdha.

IKSHPK është përgjegjës për informim dhe këshillim të popullatës në çështjet e shëndetit kush dhe si duhet të mbrojë vetveten, dhe institucioni i vetëm përgjegjës për efektet e rrezikshme shëndetësore që lidhen me ekspozimin ndaj ndotjes së ajrit. Duke iu falënderuar projektit të sfidave të mijëvjeçarit, ne tani në ueb faqen tonë kemi të gjitha informacionet e nevojshme mbi Indexin e Cilësisë se ajrit,informata këto qe mund të ketë qasje secili qytetar.

Gent Zeqiri, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka thënë se në Strategjinë e Cilësisë së Ajrit 2013- 2022, për secilin sektor që është kontribues  i ndotjes së ajrit, janë përcaktuar objektivat specifike dhe masat që do të kontribuojnë në zvogëlimin e ndotjes së ajrit.

Ligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja është në fuqi ndërsa draft ligji i ri është dërguar  në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe ka kaluar leximin e parë.  Udhëzimet Administrative të nxjerra për mbrojtjen e ajrit nga ndotja janë: Udhëzimi Administrativ për normat e cilësisë së ajrit për kriteret për caktimin e pikave monitoruese për cilësinë e ajrit, si dhe  Rregullat dhe Normat e Shkarkimeve në Ajër nga Burimet e Palëvizshme të Ndotjes.                                           

Ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike rekomandon qytetarët, kur ajri ka vlera të larta të ndotjes të reduktojnë daljet në qytet dhe ne vendet me ajër të ndotur sidomos në mëngjes dhe mbrëmje e sidomos personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat. Të qëndrohet në shtëpi dhe mos të hapen dritaret për ajrosjen e dhomave derisa zgjasin vlerat e larta.

Go to TOP