Loshi: LDK-ja nuk po vdes, po shndërrohet në Vetëvendosje
Aktivisti i çështjes kombëtare, Liri Loshi, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pas dështimit të saj në zgjedhjet e fundit duke vlerësuar se situata brenda kësaj partie po trajtohet me zhurmë të panevojshme publike.
Sipas Loshit, prej më shumë se një dekade LDK-ja nuk ka pasur ndikim real në shoqëri, për shkak të një lidershipi që, siç thotë ai, nuk ka ditur të përshtatet me rrethanat dhe kërkesat që dikton koha. Ai thekson se problemi nuk qëndron te një individ apo te dorëheqja e kryetarit aktual, por te vetë bërthama e lidershipit të partisë.
Loshi vlerëson se struktura e LDK-së përbëhet kryesisht nga oportunistë, të cilët politikën e shohin si angazhim dytësor, jo si kauzë apo ideal. “Motivi i tyre nuk janë nevojat e qytetarëve, por mirëqenia personale ekonomike dhe sociale, paga shtesë dhe prestigji”, shprehet ai.
Ai akuzon atë që e quan ngufatje të partisë nga “akademikë narcisoidë dhe babazinj” duke shtuar se mungesa e ideve, energjisë dhe vizionit politik e ka futur LDK-në në një situatë të pashpresë. Sipas tij, në këto rrethana, dorëheqjet apo ndryshimet formale në krye të partisë nuk prodhojnë asnjë ndryshim real.
Në analizën e tij, Loshi thekson se rënia e LDK-së po shfrytëzohet politikisht nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje. “Sa më shumë rrudhet LDK-ja, aq më shumë rritet Vetëvendosja”, shprehet ai.
Në përfundim, Loshi ngre një tezë provokuese duke thënë se LDK-ja nuk do të vdesë si parti, por do të transformohet gradualisht në Vetëvendosje, si pasojë e humbjes së identitetit, ideve dhe rolit të saj politik në skenën e Kosovës. /Kosova.info/
