Lista Serbe reagon për vendimin e Thesarit amerikan për bosët e krimit në Veri

Lista Serbe ka bërë një reagim zyrtar pasi nënkryetari i kësaj partie, Milan Radojiçiq është futur në listën e sanksioneve nga Departamenti amerikan i Thesarit. Kjo parti ka kundërshtuar vendimin e Thesarit amerikan duke thënë se sanksionet janë kampanjë e koordinuar për të dobësuar unifikimin e serbëve në zonat veriore.

“Akuzat e pabazuara për anëtarët e Listës Serbe dhe serbëve nga veriu i Kosovës janë një kampanjë e koordinuar për të dobësuar unitetin dhe mbrojtjen e njerëzve tanë në këto zona”, thuhet në reagim.

Tutje Lista Serbe deklaron se reagimet për sanksionet nga ana e zyrtarëve të qeverisë së Kosovës janë justifikime për aksionet e policisë në veri.

“Gjithashtu, qëllimi i dukshëm i aksioneve të përbashkëta propagandistike paushall, që shihet edhe në reagimin e Albin Kurtit, është që të justifikohen sulmet e fundit ndaj popullit duarthatë serb dhe derdhja e gjakut serb duke plagosur Srecko Sofronijeviqin gjatë dhunës brutale të aksionit të policisë së Kosovës, si dhe alibitë për veprime të mundshme të reja të njëanshme të Prishtinës në veri të Kosovës”, thuhet në reagim.

Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja e Departamentit Amerikan të Thesarit ka targetuar rrjetet e korrupsionit disa shtete të evropës dhe Hemisferës Veriore, në mesin e tyre edhe Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë njofton kjo zyrë përmes një komunikate për media.

Në komunikatë ndër të tjera, thuhet se Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq kanë pasur marrëveshje me politikanë për t’i ndihmuar partitë e tyre për t’i fituar zgjedhjet dhe në këmbim politikanët do t’i garantonin vëllezërve Veselinoviq kontrollë të disa bisneseve në disa rajone.

Lista e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit përfshinë: Marko Rosiq, Andrija Zheljko Bojiq, Srdjan Milivoje Vuloviq, Milan Mihajloviq, Miljan Radisavljevic, Radovan Radiq, Sinisa Nedeljkoviq, Radule Steviq.

Go to TOP