LDK: Meja, rikujtim i vuajtjeve të popullit tonë për liri

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës së bashku me strukturat e saj në Junik e Gjakovë ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës, në 25 vjetorin e masakrës së Mejës.

“Pranvera e vitit 1999, ishte më e rënda në historinë e vendit tonë, Kosovës. Serbia filloi përpjekjet e fundit, për ta zhbërë Kosovën e po ashtu edhe popullin e saj. Forcat serbe, në mënyrën më mizore të mundshme, masakruan 376 civilë shqiptarë; të pafajshëm. Kjo masakër ishte e përgatitur mirë nga forcat serbe, e që qëllim kishte bllokimin e korridoreve të më shumë se 15 fshatrave dhe për të grumbulluar në masë sa më të madhe burrat, të cilët ishin të moshës 15 deri 60 vjeç. Ky operacion famëkeq, kishte një qëllim – ekzekutimin e tyre në prezencë të familjarëve”, thuhet në postimin e LDK-së në Facebook.

Tutje LDK thekson se ky krim makabër, të gjitha ato jetë të marra, ato krisma pushke që po shuanin familje të tëra në pranverën e vitit 1999, kishin ndodhur pikërisht në “Lëndinën e Pikëllimit” ku prehen të qetë eshtrat e të rënëve, por që sot e asaj dite vazhdojnë të mbesin të zhdukur edhe shumë prej tyre.

“Sakrifica e madhe e burrave, grave, pleqve e fëmijëve që ranë për të mos vdekur kurrë, mbesin rikujtim i vuajtjeve të popullit tonë për lirinë e sotme. Nga “Lëndina e Pikëllimit” e gjithandej Kosovës, nderojmë sakrificën e të rënëve të cilët dhanë gjithçka dhe jetën e tyre për çlirimin e Kosovës. Lavdi e përjetshme të rënëve në Masakrën e Mejës!”, shkruan LDK. /Kosova.info/

Go to TOP