Projektrezoluta e PS, ambasada e ShBA-së: Propozim premtues

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar sot lidhur me draftrezolutën e paraqitur një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama për qeverisjen e mirë dhe antikorrupsionin si dhe ftesën që i bëri opozitës për ta votuar në Kuvend.

Ambasada e ShBA-së e cilëson propozimin si premtues si dhe nxit pjesëmarrjen e shqiptarëve që synojnë të përmirësojnë të ardhmen e vendit.

“Propozimi për të çuar përpara përpjekjet e Shqipërisë që lidhen me qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, dhe antikorrupsionin është premtues. Si partnerë në mbështetje të Shqipërisë prej kohësh, Shtetet e Bashkuara përgëzojnë përpjekjet që bazohen në suksesin e reformave të mëparshme ndërkohë që bëjnë bashkë grupe politike, shoqërinë civile, biznesin dhe të tjerë për të çuar përpara reformat kritike që janë të nevojshme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe bashkësinë euroatlantike.

Nxisim pjesëmarrjen e të gjithë shqiptarëve që synojnë të përmirësojnë të ardhmen e Shqipërisë dhe presim me kënaqësi të shohim rezultatet e dala nga një proces transparent dhe bashkëpunues”, thuhet në reagimin e Zyrës së shtypit të ambasadës së ShBA-së, në Tiranë.

Go to TOP