LBK pret Presidenten e Parlamentit të Gjenevës, diskutohet forcimi i bashkëpunimit ekonomik Kosovë–Zvicër
Sot, në zyrat e Lidhjes së Bizneseve të Kosovës (LBK), u zhvillua një takim me Presidenten e Parlamentit të Kantonit të Gjenevës, znj. Ana Roch, i cili u karakterizua nga fryma e bashkëpunimit dhe partneritetit të ndërsjellë.
Gjatë takimit u diskutua për forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Kantonit të Gjenevës, nxitjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset kosovare në tregun zviceran.
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, z. Besart Dreshaj, falënderoi Presidenten Roch për angazhimin dhe kontributin e saj në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të urave të qëndrueshme të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Nga ana e saj, Presidentja e Parlamentit të Kantonit të Gjenevës shprehu gatishmërinë dhe përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe për promovimin e produkteve dhe potencialit ekonomik të Republikës së Kosovës në Zvicër.
Po ashtu, gjatë takimit u theksua se në muajt në vijim pritet të organizohet një Forum Biznesesh, i cili do të bashkojë bizneset e Kosovës dhe ato të Kantonit të Gjenevës, me synim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe krijimin e partneriteteve konkrete.
Në këtë takim, delegacioni i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës përbëhej nga z. Hashim Deshishku, z. Mustafë Krasniqi dhe z. Astrit Gashi, ndërsa me praninë e tij takimin e nderoi edhe z. Tahir Shabani, President i Institutit për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Gjenevë.
Kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt thellimit të partneritetit ndërmjet institucioneve të Gjenevës dhe komunitetit të biznesit kosovar duke hapur perspektiva të reja për zhvillim ekonomik dhe integrim në tregjet ndërkombëtare. /Kosova.info/
