Kurti takon kryeministrin bullgar, flasin për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministren e Kosovës, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz kanë takuar kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov.

Në këtë takim, ata biseduan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe të investimeve.

“U diskutua situata e sigurisë pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë dhe kryeministri Kurti ritheksoi solidarizimin dhe mbështetjen e Kosovës dhe popullit të saj me luftën nacionalçlirimtare të popullit ukrainas.”, thuhet në komunikatë.

Ky është njoftimi i plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla, në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit u takuan me Kryeministrin e Republikës së Bullgarisë, Kiril Petkov.

Biseduan për mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit në aspektin ekonomik, tregtar dhe të investimeve, si dhe për rëndësinë që ka luftimi i krimit dhe i korrupsionit për sigurinë rajonale.

Kryeministri Kurti tha se integrimi në strukturat europiane dhe euroatlantike mbetet aspirata kryesore e Republikës së Kosovës dhe kërkoi përkrahjen dhe mbështetjen e Bullgarisë në realizimin e këtij synimi.

U diskutua situata e sigurisë pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë dhe kryeministri Kurti ritheksoi solidarizimin dhe mbështetjen e Kosovës dhe popullit të saj me luftën nacionalçlirimtare të popullit ukrainas.

Ai potencoi ndikimin dhe rrezikun që mund të paraqesin për rajonin tonë lidhjet e gjera dhe të thella mes Federatës Ruse dhe Serbisë. Një situatë e tillë e bën edhe më të domosdoshëm integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe në Bashkimin Evropian, për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kontinentin e Evropës, tha kryeministri Kurti.​

Go to TOP