Kurti: Kosova fener i demokracisë në Ballkanin Perëndimor

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova përfaqëson kulminacionin e një udhëtimi të jashtëzakonshëm nga thellësitë e represionit, aparteidit dhe gjenocidit në fener të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor.

Një deklaratë të tillë i pari i ekzekutivit kosovar e pati në ceremoninë e diplomimit të studentëve të nivelit master në fushën e të drejtave të njeriut dhe demokratizimit në Kampusin Global të të Drejtave të Njeriut në Venecia të Italisë.

Kurti përmes një postimi në platformën ‘X’ ka bërë të ditur se gjatë fjalimit të tij ka vënë në pah dy momente historike: 75 vjetorin e miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut; dhe herën e 20-të që studentët e programit EMA vizituan Kosovën për të mësuar nga dora e parë për përparimin e vendit që nga çlirimi në vitin 1999.

“Siç u thashë të diplomuarve, këto momente historike nuk janë të palidhura: Ashtu si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut simbolizonte triumfin përfundimtar të shpirtit njerëzor mbi të këqijat e tmerrshme të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit, po ashtu Republika e Kosovës përfaqëson kulminacioni i një udhëtimi të jashtëzakonshëm nga thellësitë e represionit, aparteidit dhe gjenocidit në atë që jemi bërë tani: një fener i demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”, ka shkruar Kurti. /Kosova.info/


Go to TOP