Koncert solemn për kardinalin Ernest Simoni në 70-vjetorin e shugurimit

Me rastin e 70-vjetorit të shugurimit meshtarak të kardinalit Ernest Simoni, sonte në orën 19:00 në Katedralen Shën Nënë Tereza do të zhvillohet një koncert solemn në nder të tij.

Ngjarja organizohet nga Fondacioni Kardinal Domenico Bartolucci, në bashkëpunim me Ipeshkvinë Prizren-Prishtinë, dhe nën patronatin e Ambasadës Italiane në Prishtinë. Koncerti ka për qëllim të vlerësojë një ndër figurat më të shquara të historisë së re të Kishës Katolike dhe të popullit shqiptar.

Kardinali Ernest Simoni njihet si simbol i qëndresës shpirtërore dhe besimit të palëkundur përballë persekutimit komunist në Shqipëri, duke mbetur një dëshmitar i gjallë i sakrificës dhe përkushtimit fetar.

Ngjarja rikujton edhe vizitën historike të Simoni në Prishtinë në vitin 2017, kur, si i dërguar i posaçëm i Papa Françeskut, mori pjesë në shugurimin e katedrales, një moment që mblodhi mijëra besimtarë dhe shënoi një faqe të rëndësishme në jetën fetare të kryeqytetit.

Go to TOP