​KGjK thotë se ka realizuar 93% të planit të punës për vitin 2025

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka caktuar gjithsej 80 pozita për Gjykatën Administrative, prej të cilave 23 janë pozita për gjyqtarë dhe 57 për staf administrativ. Me qëllim që kjo gjykatë të jetë funksionale që nga dita e parë, nga KGjK është theksuar nevoja për mbështetje buxhetore nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Këto të dhëna u prezantuan në mbledhjen e sotme të KGjK-së, ku u diskutua edhe realizimi i Planit të Punës për vitin 2025, i cili është përmbushur në masën 93 për qind.

Drejtori i Burimeve Njerëzore në KGjK, Bislim Gashi, tha se organogrami i pozitave për gjyqtarë për vitin 2026 përmban gjithsej 482 pozita në nivel vendi duke theksuar se fokusi kryesor ka qenë rritja e efikasitetit në Gjykatën e Apelit dhe themelimi i Gjykatës Administrative.

“Organogrami i pozitave për gjyqtarë në Kosovë për vitin 2026 përmban 482 pozita për gjyqtarë. KGjK është fokusuar në rritjen e efikasitetit në Gjykatën e Apelit dhe në krijimin e Gjykatës Administrative. Me qëllim që kjo gjykatë të mos ketë asnjë ditë vonesë, i janë caktuar 80 pozita, prej tyre 23 gjyqtarë dhe 57 staf administrativ”, theksoi Gashi.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, deklaroi se një pjesë e stafit të Gjykatës Administrative do të transferohet nga Gjykata Themelore e Prishtinës, konkretisht nga departamenti administrativ, ndërsa pjesa tjetër do të rekrutohet.

Ai nënvizoi se funksionalizimi i kësaj gjykate kërkon mbështetje të drejtpërdrejtë institucionale.

“Nevojitet mbështetje me resurse nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit. Themelimi i Gjykatës Administrative, sikurse edhe i Gjykatës Komerciale, ka pasur vlerësime bazë për nevojën e krijimit të tyre, por shqetësues mbetet numri i gjyqtarëve dhe stafit mbështetës, sidomos duke pasur parasysh se që nga viti 2022 nuk është pranuar asnjë pozitë e re e mbështetur nga qeveria”, tha Zogaj.

Në këtë mbledhje u prezantua edhe raporti për implementimin e Planit të Punës së KGjK-së për vitin 2025. Drejtori i Departamentit për Çështje Ligjore në KGjK, Astrit Hoti, bëri të ditur se nga 44 aktivitete të planifikuara, janë përfunduar 41.

“KGjK ka realizuar 93 për qind të Planit të Punës për vitin 2025. Ky rezultat dëshmon angazhimin serioz të sistemit gjyqësor në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe cilësisë së shërbimeve gjyqësore, edhe në rrethana sfiduese buxhetore”, tha Hoti.

Kryesuesi Zogaj vlerësoi se viti 2025 është ndër vitet me përmbushjen më të plotë të planifikimeve vjetore.

“Është një ndër vitet që tregon një përmbushje të plotë të asaj që është planifikuar, çka është shumë e rëndësishme si për Këshillin ashtu edhe për gjykatat”, u shpreh ai.

Në fund të mbledhjes, Këshilli Gjyqësor i Kosovës miratoi edhe Planin e Punës së Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për vitin 2026.


Go to TOP