Instituti GAP: Votimi i Projektligjit për Buxhet nga Qeveria në detyrë përbën shkelje kushtetuese
Qeveria në detyrë në mbledhjen e sotme, ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2026.
E pas kësaj ka reaguar Instituti GAP, sipas së cilit veprimi i sotëm i Qeverisë në detyrë, e cila procedoi dhe miratoi projektligjin për buxhetin, bie në kundërshtim me kërkesat ligjore të përcaktuara në Ligjin e Qeverisë dhe vet Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Si vazhdimësi e Letrës dërguar Presidentës së Republikës së Kosovës, znj. Osmani Sadriu, dhe marrë parasysh mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë, duam të sqarojmë se veprimi i sotëm i Qeverisë në detyrë gjatë procedimit dhe miratimit të projektligjit të buxhetit bie në kundërshtim me kërkesat ligjore të përcaktuara në Ligjin e Qeverisë dhe vet Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo për faktin se sot votuan personat që janë të certifikuar si deputetë në Kuvendin e Kosovës. Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 mund të propozohej nga Qeveria në detyrë, në përputhje me Ligjin për Qeverinë. Megjithatë, siç kemi theksuar dhe në Letrën e dërguar, ky proces do duhej të zhvillohet në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën, ligjin dhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme. Të njëjtat përcaktojnë qartë se një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht dy funksione, si anëtar i Qeverisë dhe si deputet”, thuhet në reagimin e GAP-it.
