Ibrahimi: Mbyllja e fabrikave nuk është krizë ekonomike, por krizë e ndërgjegjes
Analisti Ilir Ibrahimi ka reaguar me një mesazh të ndjerë dhe kritik në rrjete sociale duke shprehur shqetësimin e tij të thellë për mbylljen e fabrikave në Kosovë dhe humbjen e shpresës ndër sipërmarrësit vendorë. Në një ton emocional, ai thekson se nuk flet si përfaqësues i ndonjë shoqate apo klubi biznesi, por si mik dhe dëshmitar i dhembjes që po përjeton një shtresë e tërë e shoqërisë.
“Sot e mbylli fabrikën”, tregon Ibrahimi duke përshkruar një telefonatë tronditëse nga një mik i tij, ndërsa thekson se shumë të tjerë që krijuan vende pune dhe mbajtën gjallë ekonominë, sot ndihen të braktisur. Ai e quan zhgënjimin që po përjetojnë themeluesit e bizneseve si më të thellë se çdo krizë ekonomike, sepse, sipas tij, nuk është konkurrenca apo ndonjë fatkeqësi natyrore që po i gjunjëzon, por vendimet e padrejta të shtetit.
“Aty ku dikur kishte shpresë, sot ka heshtje. Aty ku kishte prodhim, sot ka dry. Aty ku kishte bashkëpunim – sot ka lot të fshehur dhe punëtorë që kthehen në shtëpi me duar bosh”, shkruan Ibrahimi duke e cilësuar këtë gjendje si një “krizë të ndërgjegjes”. Ai përmbyll reagimin me një thirrje të fortë: “Zgjohu Kosovë. Sepse ata që po largohen sot, janë po ata që na mbajtën në këmbë dje. Dhe pa ta, nesër mbetemi bosh.”
Deklarata e Ilir Ibrahimit vjen në një kohë kur në vend po shtohen raportimet për mbyllje të bizneseve prodhuese dhe pasiguri ekonomike duke ngritur shqetësime për rolin e institucioneve shtetërore në ruajtjen e qëndrueshmërisë së sipërmarrjes vendore. /Kosova.info/
