I vdekuni duhet me bâ naten e mrame n’shpi t’vet

Shkruan: Pal ShTUFI

Dje, me 16 kallnor, vdiq poeti!

Kur vdes poeti, thonë se njerëzimit i vdes një këngë dhe një fjalë që shëron. Kur vdes poeti, është sikur vdes bilbili në degën e pemës që kemi pranë, e mungesa e të cilit ta lë veshin shurdhër.

Dje vdiq një njeri i mirë e me emër zanafille. Vdiq poeti, i cili ëmbëlsisht i fliste njeriut dhe jetës. Jetoi në paqe me veten, natyrën dhe njerëzit. Poeti ishte ateist. Hyjnitë nuk i besonte e as merrej me ta. Ai kishte fjalën dhe njeriun në zemër. Kishte gjuhën shqipe, të cilën mrekullisht ëmbël e shkruante.

Poeti vdiq paradite, e varrosën pasdite!

Pasardhësit e poetit, nguteshin dje. Një trysni e mjegullt, ardhur shkretëtirave të beduinëve, e kishte vënë në veprim pjellën e keqe për ta varrosur prindin ateist – ni sahat e ma parë – mu ashtu siç ai nuk do dëshironte. E varrosën aq shpejt, sikur kishin frikë thirrjen e tij, MOSNI KËSHTU!

Sikur kishin frikë se sot, ditën kur Gjergji Madh ka ditëvdekjen e Tij, do t’u thoshte: “Mosni kështu, i vdekuni duhet me bâ natën e mrame n’shpi t’vet!”

Pjella keqe dje ishte ngrit peshë mbi kufomën e Atit të tyre, duke ia ndaluar nënës, gruas, motrave dhe vajzave pjesëmarrjen në varrim. Sepse: “gruaja nuk është e denjë as për lamtumirën e fundit” – i mëson ideologjia morbite e ardhur fundërrinave të botës. 

Pjella keqe, duke ia përgatitur poetit vdekjen e dytë, dje deshi ta mbyllte nën dheun e zi edhe të vërtetën ateiste të poetit gjuhë-ëmbël. Kot është. Poeti ishte i atyre që e lexuan dhe e kuptuan deri në fund gjuhën e tij shqipe.

Një porosi.

Poetë, shkrimtarë, intelektualë e krijues të ndryshëm, lëreni testamente të detajuara dhe të hapura (publike) për ditën e vdekjes e të varrimit, sepse pjellës së keqe kurrë nuk i dihet deri ku i shkon ligësia. Shqiptarë jemi edhe kur vdesim.

Mos i lejoni vetës dy vdekje!

Go to TOP