Hoti: Mbyllja e MCC humbje e madhe për Kosovën – Qeveria refuzoi partneritetin me SHBA
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas raportimeve për mbylljen e programit MCC për Kosovën duke e cilësuar këtë si një humbje të madhe për vendin. Ai thotë se Kosova është në mesin e vendeve që do të pësojnë më së shumti si pasojë e këtij zhvillimi.
Sipas Hotit, gjithçka nisi me refuzimin e Marrëveshjes së Uashingtonit të nënshkruar më 4 shtator 2020, që parashihte ndërtimin e një termocentrali me gaz, projekt ky që do të siguronte stabilitet afatgjatë energjetik për vendin.
“Tani kur edhe programi MCC po mbyllet si pjesë e reformave të Administratës Amerikane nga Presidenti Trump, Kosova do të humbë edhe fondin prej 220 milion dollarësh të dedikuar për bateritë e ruajtjes së energjisë, si dhe një sërë projektesh të tjera që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve”, ka shkruar Hoti.
Ai fajëson Qeverinë Kurti për, siç e quan ai, qeverisje të papërgjegjshme që ka minuar partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetin që është ndër garantuesit kryesorë të pavarësisë së Kosovës. Hoti rikujton gjithashtu se qeveria aktuale kishte refuzuar edhe pezullimin e tarifave të importit për produktet amerikane.
“Kjo qeveri po punon haptazi kundër interesave tona strategjike”, përfundon reagimin e tij Hoti. /Kosova.info/
