Hoti: Dëm i madh për Kosovën moszbatimi i marrëveshjeve me SHBA-në të vitit 2020
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj moszbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara gjatë qeverisjes së tij në vitin 2020 duke e cilësuar këtë si një humbje të madhe për Kosovën dhe një devijim nga partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ka theksuar se Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar më 4 shtator 2020, parashihte projekte të mëdha infrastrukturore, përfshirë edhe projektin e gazit, i cili sipas tij do t’i kishte sjellë Kosovës pavarësi energjetike, siguri të furnizimit dhe shmangie të rritjeve të vazhdueshme të çmimit të energjisë, që janë shfaqur për herë të tretë në dy vitet e fundit.
Po ashtu, Hoti ka përmendur Marrëveshjen për Insentivat në Investime SHBA-Kosovë, të 31 dhjetorit 2020, që do të mundësonte mbështetje direkte për bizneset kosovare nga Korporata Ndërkombëtare për Zhvillim Financiar (DFC), përmes huave, investimeve në ekuitet, garancive dhe sigurimeve të investimeve.
Në këtë linjë, ai ka rikujtuar edhe Memorandumin e Mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Kosovës të 23 tetorit 2020 për bashkëpunim në fushën e sigurisë së teknologjisë 5G, që do të forconte më tej partneritetin teknologjik dhe të sigurisë me SHBA-në.
“Sikur këto marrëveshje të zbatoheshin, sot partneriteti strategjik me SHBA-në do të ishte në nivele shumë më të larta,” ka thënë Hoti duke shtuar se është jetike që Kosova të ketë një qeveri proamerikane dhe proevropiane, e cila kthen miqësinë e ngushtë me SHBA-në në bosht të politikës së jashtme dhe ekonomike, përmes rikthimit të zbatimit të këtyre marrëveshjeve dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me Uashingtonin.
Ai përfundoi se vetëm një qasje e tillë do të mundësonte zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe forcim të sigurisë kombëtare në përputhje me interesat strategjike të Kosovës. /Kosova.info/
