PDK denoncon Alban Hysenin për keqpërdorim të tenderit 500 mijë euro: Punësime të paligjshme dhe shkelje të kontratës me “Kosovamed”

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë një denoncim publik ndaj kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hysenia duke e akuzuar për keqpërdorim të rëndë të një tenderi në vlerë prej afro 500 mijë eurosh për punësimin e stafit mjekësor në QKMF. Sipas PDK-së, ky projekt nuk ka qenë i planifikuar në buxhetin e vitit 2024 dhe as në planin vjetor të prokurimit të Komunës së Gjilanit.

Tenderi në fjalë ishte shpallur për punësimin e 28 profesionistëve shëndetësorë, përfshirë 20 mjekë, 3 infermiere dhe 5 punëtorë në stomatologji, me një kontratë të nënshkruar më 24 shtator 2024 me operatorin ekonomik “Kosovamed” nga Prishtina, në vlerë prej 449,683.20 euro. Sipas kontratës, lejohej një derivim prej +/-30% nga vlera indikative, përtej së cilës kontrata do të ndërpritej automatikisht.

Megjithatë, PDK thekson se janë punësuar në total 46 persona – një tejkalim i konsiderueshëm i kontratës. Vetëm për infermieret është shënuar një rritje prej 633% krahasuar me numrin e lejuar në kontratë. Për më tepër, janë punësuar edhe zyrtarë të tjerë si juristë dhe koordinatorë, të cilët nuk ishin fare pjesë e kontratës me “Kosovamed”.

“Shkeljet nuk janë vetëm në tejkalimin e numrit të punësimeve, por edhe në qëllimin e tyre – për të punësuar familjarë të zyrtarëve të VV-së dhe për të blerë heshtjen për skandalet e mëhershme në konkurset e rregullta në QKMF”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Sipas të dhënave të publikuara nga PDK, aktualisht në Komunën e Gjilanit janë të punësuar mbi 130 persona pa konkurse, përmes kontratave në vepër dhe këtij tenderi. Këto punësime, sipas opozitës, po i kushtojnë komunës afër një milion euro brenda një viti – buxhet i paplanifikuar që po shpenzohet nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve.

PDK i ka bërë thirrje publike Prokurorisë Themelore në Gjilan që të nisë hetimet ndaj kryetarit Hyseni për shkelje të ligjit të prokurimit publik dhe abuzim me financat publike. Ajo ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapa të tjerë nëse prokuroria vazhdon të heshtë përballë këtyre skandaleve.

“Prokuroria e përgjumur e Gjilanit duhet të zgjohet. Alban Hyseni duhet të japë llogari para ligjit për dëmin që po i shkakton financave publike të qytetarëve të Gjilanit”, përfundon reagimi i PDK-së. /Kosova.info/


Go to TOP