Haradinaj: Ja disa fakte, Albin Kurti është përfshirë në skenar të Serbisë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta pranojë menjëherrë kërkesën e SHBA-së për ta shtyrë edhe për 10 muaj zbatimin e vendimit për zëvendësimin e targave të lëshuara nga Serbia.

Haradinaj në fillim të një konference për media tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “është kyçur” në një “skenar të Serbisë për dështimin e propozim-marrëveshjes së Gjermanisë dhe Francës”.

“Në këtë skenar është kyçur dhe po e ndihmon edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, tha Haradinaj.

“Disa herë në të kaluarën jam betuar se do ta them të vërtetën në interes të interesave tona nacionale. Dhe tani do t’i qes disa fakte për këtë”, vazhdoi tutje kryetari i AAK-së.

Sipas tij, në tetor në Prishtinë dhe në Beograd kishte mbërritur propozim marrëveshja, që siç thotë ai, e përmbante edhe njohjen reciproke Kosovë-Serbi.

“Amerika duke e ditë qëllimin e Serbisë për dështimin e dialogut, i ka kërkuar Kosovës që ta shtyjë vendimin për targat”, tha Haradinaj.

“Albin Kurti ka vendos mos me e dëgju Amerikën por me shku në një rrugë që është e paqartë se e kujt është”, theksoi ish-kryeministri.

Haradinaj tha se “Kurti dhe Qeveria e tij e kanë kthy procesin nga marrëveshja që në përmbajtje e kishte njohjen, në dialogun për kthimin e serbëve në institucione dhe Asociacionin”.

“Qytetarë të Kosovës, vlerësojeni vetë i kujt është Albin Kurti dhe për kë punon. Unë e kam për detyrë me ua thënë të vërtetën çdoherë”, tha Haradinaj.

Go to TOP