Spektakël golash, Anglia e treta në botë

Anglia e ka mbyllur Kupën e Botës 2026 në vendin e tretë, pasi triumfoi 6-4 ndaj Francës në një ndeshje spektakolare me plot 10 gola, të zhvilluar në Miami.

“Tre Luanët” e nisën vrullshëm sfidën dhe kaluan në avantazh që në minutën e tretë me një goditje të fuqishme nga distanca të Declan Rice. Mesfushori anglez ishte sërish protagonist në minutën e 18-të, kur asistoi për Ezri Konsa, i cili shënoi me kokë për 2-0.

Dominimi anglez vazhdoi edhe në pjesën e parë. Marcus Rashford shërbeu për Bukayo Saka, që realizoi golin e tretë në minutën e 37-të, ndërsa në shtesën e pjesës së parë ylli i Arsenalit shënoi edhe të dytin personal për ta çuar rezultatin në 4-0.

Franca reagoi menjëherë pas pushimit. Kylian Mbappé ngushtoi diferencën në minutën e 48-të pas një asisti të Michael Olise, ndërsa Bradley Barcola realizoi për 4-2 vetëm gjashtë minuta më vonë.

Në minutën e 66-të, Mbappé shënoi sërish dhe e riktheu plotësisht në lojë Francën, duke e çuar rezultatin në 4-3.

Megjithatë, në minutën e 85-të Anglia fitoi një penallti pasi Djed Spence u pengua në zonë nga Malo Gusto. Nga pika e bardhë, Bukayo Saka ishte i saktë, kompletoi tripletën personale dhe realizoi golin e pestë të anglezëve.

Drama nuk përfundoi aty. Në minutën e gjashtë shtesë, Ousmane Dembélé shënoi për 5-4 dhe i dha edhe një herë shpresë Francës. Por vetëm dy minuta më vonë, Jude Bellingham zhvilloi një aksion fantastik individual, kaloi disa kundërshtarë dhe me një goditje të saktë vulosi fitoren 6-4 të Anglisë.

Me këtë sukses, skuadra e Thomas Tuchel siguron medaljen e bronztë në Botërorin 2026, ndërsa Franca e mbyll turneun në vendin e katërt, në ndeshjen e fundit të Didier Deschamps si trajner i “Les Bleus”.

Të dielën nga ora 21:00 mes Spanjës dhe Argjentinës.

Rezultati:

Francë 4-6 Angli

Mbappe 48′, 66′, Barcola 58′, Dembele 90+6′ / Rice 3′, Konsa 18′, Saka 37′, 45+1′, (P) 87′, Bellingham 90+8′


Go to TOP