Hamza nga Washingtoni: PDK e përkushtuar në forcimin e aleancës strategjike me SHBA-në
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Washington, ku u takua me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit, në funksion të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Hamza u prit nga Charles McLaughlin, Ndihmës Special i Presidentit Donald Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, si dhe nga Mark Fleming, Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit.
Në këto takime u diskutua për zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë, si dhe për rëndësinë që institucionet e vendit të orientohen drejt forcimit të marrëdhënieve strategjike me SHBA-në duke ndërtuar një agjendë të qartë zhvillimore.
Hamza theksoi se për të dhe për PDK-në interesi shtetëror mbetet prioritet absolut duke nënvizuar përkushtimin për rritje ekonomike, investime strategjike dhe rivendosje të plotë të besimit me partnerët ndërkombëtarë.
“Kosova është e bekuar me mbështetjen e popullit dhe qeverisë amerikane. Kjo mbështetje është jetike në rrugëtimin tonë drejt NATO-s dhe BE-së,” u shpreh Hamza duke e konsideruar aleancën me SHBA-në si themelin kryesor të sigurisë dhe zhvillimit të vendit. /Kosova.info/
