FSK nikoqire e ushtrimit “Defender Europe 25” – Maqedonci dhe Jashari vizitojnë komandën taktike të Ushtrisë Amerikane
Me rastin e fillimit të Ushtrimit Fushor (UF) “Defender Europe 25” Ministri i Mbrojtjes në detyrë z. Ejup Maqedonci dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (KOMFSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari vizituan kontrollin e lartë të UF Defender Europe 25 dhe Post Komandën Taktike të Divizionit të 28të të Ushtrisë Amerikane.
Gjatë kësaj vizite, Ministri Maqedonci dhe GLT Jashari përgëzuan pjesëmarrësit për përkushtimin e tyre gjatë planifikimit dhe përgatitjeve të këtij ushtrimi. Gjithashtu, theksuan rëndësinë e pjesëmarrjes së FSK në një ushtrim të këtij niveli si nikoqir, si dhe avancimin e njësive të FSK që të operojnë në një mjedis shumëkombësh operacional, me fokus në realizimin e detyrave kryesore dhe ngritjen e ndërveprueshmërisë me aleatët dhe partnerët.
Ushtrimi Fushor ‘Defender Europe 2025’ është një nga ushtrimet më të mëdha që organizohet nga Ushtria Amerikane për Europë dhe Afrikë (US EUCOM), ku njësitë e FSK marrin pjesë për të tretën herë radhazi në këtë seri të ushtrimeve. /Kosova.info/
